Ushtria e Koresë së Veriut ka njoftuar se do të zgjerojë dhe intensifikojë stërvitjet ushtarake si pjesë e “përgatitjeve të luftës”, njoftuan mediat lokale.
Vendimi u mor në një takim të hënën të kryesuar nga udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, pas stërvitjeve të përbashkëta ajrore koreano-jugore-SHBA të mbajtura javën e kaluar, përcjell Fol Drejt.
Në agjendën e takimit ishte “zgjerimi dhe forcimi i vazhdueshëm i operacioneve dhe stërvitjeve luftarake të Ushtrisë Popullore Koreane në mënyrë që të përsoset rreptësisht përgatitja për luftë”, njoftoi agjencia e lajmeve KCNA e Koresë së Veriut.
Imazhet satelitore private treguan se “përgatitjet e mëdha për një paradë ushtarake” janë duke u zhvilluar në Phenian, përpara festave të ardhshme kombëtare.
Koreja e Veriut feston përvjetorin e themelimit të forcave të armatosura më 8 shkurt dhe ditëlindjen e Kim Jong Il, babait dhe paraardhësit të liderit aktual të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, më 16 shkurt.
Seuli dhe Uashingtoni kryen stërvitje ajrore javën e kaluar me bombardues strategjikë dhe avionë luftarakë, gjë që zemëroi Phenianin.
Autoritetet e Koresë së Veriut thanë në atë kohë se manovra të tilla mund të “shkaktojnë një konflikt të gjithanshëm” dhe shtuan se stërvitjet “kaluan një vijë të kuqe”.
Koreja e Veriut i konsideron stërvitjet një provë për një pushtim të territorit të saj./FolDrejt/