Zëvendëspresidentja e SHBA-së Kamala Harris ka thirrur në takim urgjent liderët në samitin rajonal në Bangkok pasi raketa u ul në det pranë ishullit japonez të Hokkaidos, shkruan Al Jazeera, përcjell Fol Drejt.
Koreja e Veriut ka lëshuar atë që vendet fqinje thanë se dukej të ishte një raketë balistike ndërkontinentale (ICBM), një ditë pasi lëshoi një raketë më të vogël dhe paralajmëroi për “përgjigje më të ashpra ushtarake” ndaj Shteteve të Bashkuara që kanë rritur praninë e saj të sigurisë në rajon.
Ministri japonez i mbrojtjes Yasukazu Hamada tha se raketa, e cila arriti një lartësi prej 6,000 km (3,730 milje), ishte e aftë të udhëtonte deri në 15,000 km (9,320 milje), duke i dhënë asaj rrezen për të arritur në kontinentin e Shteteve të Bashkuara.
Sipas zyrtarëve japonezë, raketa testuese përshkoi 1000 km (622 milje) në një trajektore të ngritur dhe u ul rreth 200 km (124 milje) në perëndim të ishullit Oshima-Oshima në prefekturën veriore të Hokkaido.
“Natyrisht ne kemi paraqitur një protestë të fortë kundër Koresë së Veriut, e cila ka përsëritur provokimet e saj me frekuencë të paprecedentë”, u tha gazetarëve në Tajlandë kryeministri japonez Fumio Kishida, aty ku ai po merr pjesë në takimin e nivelit të lartë të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor. Komentet e tij u transmetuan drejtpërdrejt në Japoni.
“Ne i kemi thënë (Phenianit) se absolutisht nuk mund të tolerojmë veprime të tilla.”
Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut e përshkroi gjithashtu raketën si një ICBM të mundshme, e cila është projektuar për të mbajtur një kokë bërthamore dhe tha se ajo u lëshua rreth orës 10:15 të mëngjesit (01:15 GMT). /FolDrejt/