Shtetet e Bashkuara dënuan lëshimin e raketave balistike nga Koreja e Veriut, duke thënë se ato shkelin rezolutat e shumta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe se “kërcënojnë rajonin dhe komunitetin e gjerë ndërkombëtar”.
Deklarata e Departamentit të Shtetit erdhi pasi Koreja e Veriut tha se, më 25 mars, ka lëshuar “një predhë taktike të tipit të ri, të zhvilluar rishtas”. Arma goditi objektivin 600 kilometra larg, tha agjencia koreano-veriore e lajmeve KCNA.
Fundjavën e kaluar, Penjani lëshoi edhe dy raketa të tjera me rreze të shkurtër veprimi. Shtetet e Bashkuara mbeten të hapura për diplomaci me Korenë e Veriut, me gjithë provat e saj raketore, tha të enjten presidenti amerikan, Joe Biden, gjatë një konference për media në Shtëpinë e Bardhë.