Koreja e Veriut ka lançuar një raketë që dyshohet të jetë balistike.
Zyra e kryeministrit japonez përmes një postimi në Twitter mbrëmë dha një alarm urgjent në lidhje me lançimin e raketës, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Zyra e kryeministrit gjithashtu publikoi disa udhëzime pas lëshimit të raketës, duke u bërë thirrje autoriteteve që të “bëjnë përpjekje maksimale për të mbledhur dhe analizuar informacionin dhe për t’i ofruar publikut informacion të shpejtë dhe adekuat, për të garantuar sigurinë e avionëve, anijeve dhe aseteve të tjera dhe për të marrë të gjitha masat e mundshme për masa paraprake, duke përfshirë gatishmërinë për raste të paparashikuara”.
Agjencia koreano-jugore e lajmeve Yonhap konfirmoi lançimin e një “rakete balistike të paspecifikuar drejt Detit Lindor” nga Koreja e Veriut.
Ky lançim i raketës vjen një ditë pasi Departamenti i Mbrojtjes i SHBA tha se forcat amerikane kishin kryer stërvitje të ndara ushtarake me Japoninë dhe Korenë e Jugut në përgjigje të lançimin të një rakete balistike me rreze të gjatë veprimi nga Pheniani.
Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol u zotua të mbrojë sigurinë e vendit përmes një aleance të fortë me SHBA-në dhe bashkëpunimit trepalësh me SHBA-në dhe Japoninë.
“E di që njerëzit duhet të jenë të shqetësuar, por qeveria jonë do të kujdeset tërësisht për jetën dhe sigurinë e njerëzve përmes një aleance të fuqishme Kore e Jugut-SHBA dhe bashkëpunimi të sigurisë midis Koresë së Jugut, SHBA-së dhe Japonisë”, agjencia Yonhap citoi të ketë thënë presidenti Yoon Suk-yeol.
Ndërkohë, Koreja e Jugut, Japonia dhe disa vende perëndimore anëtare të OKB-së dënuan Korenë e Veriut për provokimin e saj me raketa balistike.
Yonhap shkruan se në deklaratën e përbashkët që dënon provokimin u nënshkruan Britania, Franca, Shqipëria, Brazili, India, Irlanda, Norvegjia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Të martën, Ministria e Mbrojtjes e Japonisë tha se Koreja e Veriut lëshoi atë që dukej të ishte një raketë balistike që mund të fluturonte në drejtim të prefekturave Aomori dhe Hokkaido në Japoninë veriore dhe paralajmëroi njerëzit që të kërkonin strehim.
Ministria më vonë tha se raketa tashmë kishte rënë në oqean.
Kjo ishte herën e parë që Koreja e Veriut kishte lëshuar një raketë balistike mbi arkipelagun japonez pas pesë vjetësh.
Përshkallëzimi i tensioneve nga Koreja e Veriut mendohet të jetë në përgjigje të një stërvitje të përbashkët ushtarake nga Koreja e Jugut, SHBA-ja dhe Japonia në Detin Lindor./FolDrejt/