Udhëheqësi i Koresë së Veriut konfirmoi sot lëshimin e një lloji të ri të raketës balistike ndërkontinentale (ICBM), duke kërcënuar sërish se do të përdorë armë bërthamore nëse “armiqtë” vazhdojnë të përbëjnë kërcënim për vendin e tij.
Kim Jong-un, së bashku me gruan dhe vajzën e tij, inspektuan dhe dëshmuan lëshimin e tipit të ri ICBM Hwasongpho-17 në Aeroportin Ndërkombëtar të Phenianit të premten, njoftoi Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“(Raketa) udhëtoi deri në një lartësi maksimale prej 6.040.9 kilometrash dhe përshkoi një distancë prej 999,2 kilometrash për 4.135 sekonda përpara se të ulej me saktësi në zonën e paracaktuar në ujërat e hapura të Detit Lindor të Koresë”, raportoi agjencia.
Kim, ndërsa ka vlerësuar testin e suksesshëm të raketës, ka thënë se erdhi për të konfirmuar edhe një herë se forcat bërthamore të vendit të tij kanë siguruar një kapacitet tjetër të besueshëm dhe maksimal për të frenuar çdo kërcënim bërthamor.
Të premten, SHBA-ja, Japonia, Koreja e Jugut, Australia, Kanadaja dhe Zelanda e Re dënuan fuqishëm testin e fundit raketor të Phenianit, duke e quajtur atë një “shkelje të pacipë” të rezolutave të shumta të sigurisë të OKB-së.
Megjithatë, Kim akuzoi SHBA-në dhe aleatët e saj se paraqesin një kërcënim ushtarak për vendin e tij dhe tha se Koreja e Veriut kërkon urgjentisht përshpejtimin e konsiderueshëm të forcimit të parandalimit të saj bërthamor.
Ai paralajmëroi SHBA-në dhe Korenë e Jugut se çdo veprim ushtarak kundër vendit të tij do të rezultojë në “vetëshkatërrim”.
Tensionet në Gadishullin Korean janë rritur tutje si rezultat i stërvitjeve të përbashkëta ushtarake të fundit midis Koresë së Jugut dhe SHBA-së, si dhe testeve të raketave nga Koreja e Veriut./FolDrejt/