Agjencia shtetërore e lajmeve e Koresë së Veriut, KCNA, raportoi të hënën se vendi kreu të dielën një “fazë të rëndësishme, përfundimtare” të një testi për zhvillimin e një sateliti spiun, të cilin synon ta përfundojë deri në prill 2023.
Raporti erdhi një ditë pasi ushtritë e Koresë së Jugut dhe Japonisë raportuan se Koreja e Veriut kishte lëshuar dy raketa balistike me rreze të mesme veprimi.
Zëdhënësi tha se testimi i satelitit zbulues do të përfundojë deri në prill. Koreja e Veriut ka kryer teste të paprecedentë raketash këtë vit, duke përfshirë një raketë balistike ndërkontinentale (ICBM) të aftë për të arritur në territorin e SHBA-së, në kundërshtim me sanksionet ndërkombëtare.
Pheniani ka testuar sistemet satelitore gjatë disa lëshimeve të raketave dhe udhëheqësi Kim Jong Un ka thënë se po punohet për të zhvilluar një satelit spiun që synon të sigurojë informacion në kohë reale mbi veprimet ushtarake nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.
Zyra presidenciale e Koresë së Jugut dënoi ashpër lëshimin e fundit të Koresë së Veriut, duke thënë se provokimet e vazhdueshme të saj dhe zhvillimi bërthamor dhe raketor vetëm do të kërcënojnë regjimin e saj./FolDrejt/