Koreja e Veriut lëshoi tre raketa të tjera balistike me rreze të shkurtër drejt Detit Lindor, në përgjigje të stërvitjeve të përbashkëta ajrore në vazhdim midis Koresë së Jugut dhe SHBA-së që kanë rritur tensionet në Gadishullin Korean, raportuan sot mediat lokale.
Raketat u lëshuan nga qarku Koksan në provincën veriore Hwanghae të enjten mbrëma, njoftoi Agjencia e Lajmeve Yonhap, duke cituar një deklaratë të Shefit të Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut (JCS), shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Lansimi i fundit i raketës ishte i dyti brenda ditës, pasi Pheniani lansoi një raketë balistike ndërkontinentale (ICBM) dhe dy raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi të enjten në mëngjes.
Të mërkurën, Koreja e Veriut lansoi më shumë se dhjetëra raketa, njëra prej të cilave ra në kufirin e saj “de facto” detar me Korenë e Jugut për herë të parë që nga fundi i Luftës Koreane 1950-1953.
Lansimi i fundit i raketave erdhi pas deklaratës së Pak Jong-chon, sekretarit të Komitetit Qendror të Partisë Punëtore në pushtet të Koresë së Veriut, i cili reagoi fuqishëm ndaj vendimit të Washingtonit dhe Seulit të enjten për të vazhduar stërvitjet më të mëdha ajrore pesëditore që janë në vijim “Stuhia Vigjilente” edhe një ditë, e cila filloi të hënën.
“Kjo është një zgjedhje shumë e rrezikshme dhe e gabuar”, tha Pak.
“Vendimi i papërgjegjshëm i SHBA-së dhe Koresë së Jugut po e shtyn situatën aktuale të shkaktuar nga aktet provokuese ushtarake të forcave aleate në një fazë të pakontrollueshme”, shtoi ai.
Ai paralajmëroi se SHBA-ja dhe Koreja e Jugut do të kuptojnë se çfarë “gabimi të pakthyeshëm dhe të tmerrshëm kanë bërë”.
Në stërvitje po marrin pjesë rreth 240 avionë të Koresë së Jugut dhe SHBA-së.
Stërvitjet e kombinuara ajrore fillimisht u mbajtën në vitin 2015 ndërsa më vonë u pezulluan nga administrata e presidentit të atëhershëm të Koresë së Jugut, Moon Jae-in në vitin 2018, në kuadër të përpjekjeve për pajtimin ndër-korean.
Kësaj radhe në stërvitje marrin pjesë edhe forcat ajrore australiane./FolDrejt/