Koreja e Veriut konfirmon kryerjen e një prove me raketë balistike me rreze të mesme veprimi. Kjo është raketa më e madhe që ka testuar Pheniani në më shumë se katër vjet. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Bill Gallo njofton nga Seuli se ky veprim shton edhe më tej trysninë ndaj administratës së Presidentit Joe Biden.
Koreja e Veriut thotë se ka testuar raketën balistike me rreze të mesme veprimi “Hwasong-12”.Hera e fundit që Pheniani ka kryer provë me një raketë të tillë ishte në vitin 2017. Këtë herë, Koreja e Veriut publikoi dy foto pasi raketa kaloi atmosferën e tokës.
Koreja e Veriut thotë se raketa u lëshua në një kënd të pjerrët për të shmangur fluturimin mbi vende të tjera. Në Tokio, zëdhënësi i qeverisë japoneze Hirokazu Matsuno e dënoi provën.
“Prova raketash të tilla bien ndesh me rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit. Vendi ynë i ka dorëzuar një notë proteste të ashpër Koresë së Veriut përmes ambasadës tonë në Pekin.”
Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Koresë së Jugut zhvilloi një takim urgjent, ndërsa bëri thirrje që Pheniani t’u kthehet bisedimeve.
Koreja e Veriut ka lëshuar 11 raketa në janar, duke shënuar një rekord të ri mujor. Megjithëse prova e fundit është më e madhja në katër vjet, analistët si Ramon Pacheco-Pardo thonë se ajo mund të mos shihet si një provokim i madh.
“Nëse Koreja e Veriut donte vërtet të tërhiqte vëmendjen botërore, ata do të testonin një raketë ndërkontinentale ose bërthamore. Por ata nuk e bënë këtë. Aktualisht, askush nuk po komenton për testin përveç atyre që ndjekin çështjet e Gadishullit Korean”, tha për Zërin e Amerikës profesori Ramon Pacheco-Pardo.
Në një reagim për provën e fundit, një zyrtar i lartë amerikan u tha gazetarëve se pret që Koreja e Veriut të kryejë së shpejti teste më të mëdha në përpjekje për siguruar lëshime nga Shtetet e Bashkuara. Ai tha se Uashingtoni është i hapur për negociata, por për momentin nuk dëshiron një takim në nivel presidenti. /VOA