Tre nga gjashtë të infektuarit me koronavirus në Gjakovë janë pjesë e stafit shëndetësor të Spitalit Rajonal.
Një nga të infektuarit ishte edhe infermiere në repartin e hemodializës në këtë spital.
Drejtori i Spitalit “Isa Grezda”, Hilmi Shala, thotë se është dezinfektuar hapësira ku ka punuar infermierja, raporton KTV.
Shala thotë që gjendja është nën kontroll dhe 17 pjesëtarë të stafit ditën e premte kanë rezultuar negativë në testin për COVID-19.
Ndërkaq, zyrtarë të Komunës së Gjakovës bëjnë me dije se gjendja nuk është alarmante në këtë qytet.
Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ferdinand Kolaj, tregon se janë marrë masat e duhura për mbrojtje nga koronavirusi.
Në Kosovë tashmë janë shënuar mbi 80 raste të infektimit me koronavirus, një prej të cilëve është shëruar e një tjetër ka vdekur.