Funksionimi i “korridorit të drithit” ka rifilluar plotësisht, ndaj transporti i drithit do të vijojë si zakonisht.
Kështu tha sot presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, duke folur në një takim të grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, transmeton Ukrinform, përcjell Fol Drejt.
“Korridori i grurit është rihapur si më parë”, tha Erdogan.
Sipas liderit turk, kjo është bërë e ditur nga ministria ruse e mbrojtjes.
“Ministri rus i Mbrojtjes Shoigu telefonoi ministrin e Mbrojtjes Kombëtare Akar, duke i thënë se transporti i drithit do të vazhdojë si më parë, duke filluar nga ora 12:00 e sotme”, tha Erdogan.
Presidenti i Turqisë njoftoi gjithashtu një bisedë telefonike me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, e cila duhet të bëhet më vonë gjatë ditës së sotme.
Siç raporton Ukrinform, më 29 tetor, Federata Ruse tha se po pezullonte pjesëmarrjen në Iniciativën e Grurit të Detit të Zi, duke e justifikuar vendimin e saj me sulmin me dron në një anije luftarake në Gjirin e Sevastopolit, për të cilin fajësoi Ukrainën dhe Britaninë e Madhe.
Pavarësisht protestës të Rusisë, 12 bulkerë që transportonin drithë u nisën nga portet e Ukrainës një ditë më parë. Të martën, OKB-ja njoftoi se nuk do të ketë lëvizje anijesh përgjatë “korridorit të grurit” më 2 nëntor. Të enjten, më 3 nëntor, tetë anije që transportojnë produkte bujqësore do të nisen përgjatë “korridorit të grurit” në Detin e Zi. /FolDrejt/