Sekretarja britanike e Punëve të Jashtme, Liz Truss, ka përshëndetur vendimin e SHBA-së për të përfshirë në listën e sanksioneve Milorad Dodik dhe Televizionin Alternativ (ATV) nga Banja Luka, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Korrupsioni është kërcënim për lirinë, demokracinë dhe paqen në Bosnjë e Hercegovinë. Britania e Madhe mirëpret sanksionet e synuara të SHBA-së që mbajnë përgjegjës përgjegjësit. Ne vazhdojmë të punojmë me aleatët për të mbështetur Bosnjë e Hercegovinën dhe lirinë në rajon”, shkroi Truss në twitter.
Zyra Amerikane e Departamentit të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) të mërkurën vendosi sanksione ndaj Milorad Dodik, anëtar i presidencës së Bosnjë e Hercegovinës (BeH), si dhe ndaj një subjekti juridik nën kontrollin e tij, Televizionit Alternativ nga Banja Luka, si përgjigje ndaj aktiviteteve korruptive dhe kërcënimeve të vazhdueshme të tij ndaj stabilitetit dhe integritetit territorial të BeH-së.
Në njoftimin e Departamentit të Thesarit të SHBA-së theksohet se sanksionet lidhen me angazhimin e administratës amerikane të presidentit Joe Biden për të promovuar përgjegjësinë për ata që, ndër të tjera, minojnë stabilitetin e Ballkanit Perëndimor përmes korrupsionit dhe kërcënimeve ndaj marrëveshjeve të paqes.
Departamenti i Thesarit i SHBA-së deklaron se Dodik po minon institucionet e BeH-së duke kërkuar heqjen e kompetencave shtetërore dhe duke iniciuar ngritjen e institucioneve paralele në entitetin Republika Srpska.