Alpin Ollogu
Sipas ligjit për shoqëritë tregtare, ai person fizik apo juridik, i vetëm ose grupacion aksionarësh të bashkuar, që kanë në posedim mbi 50% (përqind) të numërit të përgjithshëm të aksioneve, fitojnë të drejtën e udhëheqjes me shoqërinë tregtare – aksionare nëpërmjet mekanizmit të bordit drejtues apo këshillave drejtues, këshilave mbykqyrës, si dhe kuvendit të aksionarëve.
Çfarë ka ndodhur në realitet gjatë këtyre viteve të funksionimit më disa shoqëri tregtare aksionare në Maqedoninë e Veriut, shoqëri aksionare që fatkeqësisht koha i dëshmoi se kanë rënë në duart e shpirtërave hajdutë?! Korrupsioni dhe nepotizmi është bërë dhe po vazhdon të bëhet në mënyrë nga më të rëndat në shkeljen e ligjit për shoqërite aksionare, sanksionave penale të cilat si dihet në shtetin tonë të mprapshtë juridik aplikohen vetëm tek shtresa e pambrojur nga ndikimi financiaro – politik. Në përgjithësi aktivitet korruptiv ky i padukshëm për syrin e qytetarëve dhe propagandave partiake, sepse në fokus zakonisht është korrupsioni qeveritar apo figurave politik. Megjithatë, heshturazi korrupsioni i shoqërive aksionare është shkatërrues për buxhetin e shtetit, veçanërisht interesi i punëtorëve dhe aksionarëve të vegjël. Është korrupsion i padukshëm sepse shumica e popullatës apo edhe aksionarëve të vegjël, me kalimin e ndërmarrjeve shoqërore ne aksionare, kuptojnë si pronësi kapitalin e shoqërisë aksionare në pronësi të dominuesit e mbi 50% të numërit të përgjithshëm të aksioneve, me idenë se ata mund të bëjnë ç`të duan me shoqërinë aksionare, ashtu sikur në pronën e tyre private. Por në të vërtetë, sipas Ligjit për shoqëritë tregtare, neni 3, alinea 1, paragrafi 2: “ata nuk janë pronarë të asnjë pjese të pronës së shoqërisë aksionare.”
Dispozitat ligjore për shoqëritë tregtare, obligojnë poseduesit e aksioneve shumicë, ata që udhëheqin me bordin dhe këshillat drejtues, të udhëheqin konform ligjit, pa korrupsion, nepotizëm, pa konflikt interesi, kjo në të mirë të buxhetit të shtetit, buxhetit të shoqërisë askionare, ku përfitues sipas ligjit duhet të jenë edhe aksionarët e vegjël, bashkë me gjithë pjesën punëtore, si p.sh rritje e pagave; rritje e vlerës së aksioneve me investime; pagimi i dividentit vjetor; hapje e vendeve të punës; pagesë e saktë e taksave ndaj shtetit etj. Përkundrazi në disa shoqëri aksionare poseduesit e shumicës se aksionove pagat e veta në bordet drejtues i ngrejnë në shuma të mëdha, ndërsa pagat e punëtorëve i minimizojnë.
Sa i takon syrit të pushtetit, shpeshherë korrupsioni brenda shoqërive aksionare zhvillohet i padukshëm, shkaku i ryshfetit qeveritar, ryshfeti i revizorëve të pavarur të licensuar nga qeveria, apo mekanizmave tjerë kontrollues shtetëror. Për arsyen e thjeshtë se, udhëheqësit e shoqërive aksionare, si njerëz me fuqi financiare, shndërrohen edhe si ushqyesit e fushatave dhe figurave politike që qeverisin, me çka edhe si kundërvlerë kanë mbrojtejn për mos hetim, ngritjen e veprave penale apo dënimet e mundëshme. Ndërsa aksionarët e vegjël, punëtorët, shoqëria në të cilën ka efekt negativ ky llojë i korrupsionit, kanë humbur shpresat në sistemin e drejtësisë, në këtë sistem të paaftë dhe korruptuar frikshëm, për të cilin shpresojmë të rimëkëmbet me procesin e vetingut të gjykatësve dhe prokurorëve. Jo rastësisht me ndryshime qeverish (vrulli i qeverisëse fillestare), në disa shoqëri aksionare ngriten hetime dhe denoncime penale për korrupsion me shuma të mëdha monetare, për vepra penale me karakter të vazhdueshëm, dhe atë të vazhduar për vite të tëra, thuajse nuk ka pasur asnjëherë kontroll shtetëror, revizionistë privatë të licensuar për revizionin vjetor të shoqërive aksionare. Megjithatë, atë që zbulon qeveria e vullnetit fillestar të qeverisjes, me atë çka fshihet prej korrupsionit, është vetëm maja “ajsbergut” korruptiv.
Më të përhapura të llojit të korrupsionit në këto shoqëri tregtare – aksionare, veçojmë:
- Korrupsioni i bordit dhe këshillave udhëheqës, si dhe me kuvendin e aksionarëve;
- Korrupsioni në manipulimin dhe shantazhin e blerjes së aksioneve të mbetura të punëtorëve, bashkë me aksionet e Fondit per Sigurim Pensional dhe Invalidor, nga blerësi, (poseduesi i mbi 50% të aksioneve), gjegjësisht nga subjekti që udhëheq në shoqërinë aksionare;
- Korrupsioni me paraqitjen e qëllimshme të humbjes vjetore, në dëm të humbjes së vlerës në treg të aksioneve, bashkë me mos pagesën e divitentit vjetor;
- Korrupsioni me familjarizimin (nepotizmin) e bordit, këshillave drejtues dhe atyre mbikëqyrës, që shkakton jotransparencën, mbulimin, dhe joetikën e shoqërisë aksionare;
- Korrupsioni me fshehjen e tatimit të shtetit.
Në shumicën e opinionit dhe të shumë punëtorëve aksionarë të vegjël, informacionet për të drejtat dhe detyrimet e aksionit si letër me vlerë, janë të mangëta, gabuara, shpesh herë të manipuluar nga vetë udhëheqësi – dominuesi i aksioneve. Ngase nuk kuptohet diçka; se çfarë në të vërtetë janë shoqërite aksionare sipas ligjit?! Sipas ligjit, shoqëri aksionare janë ato të cilat kanë aksionin si letër me vlerë, në të cilën aksioni, paraqet një pjesë e kapitalit bazë të shoqërisë aksionare, ku shprehen të drejtat e aksionarit, i cili si pronar i aksioneve, nuk është pronar i pronës së shoqërisë aksionare, që do të thotë së, aksionari nuk mund të ketë pronë të shoqërisë aksionare në emër të tij, pra nuk mund ta regjistrojë në librat e kadastrës emrin e tij, por ka në pronësi vetëm aksionin si letër me vlerë me të drejta dhe detyrime që i jep ligji, siç u jep edhe aksionarëve të vegjël. qëllimshëm mashtrohet opinioni, punëtorët, aksionarët e vegjël te painformuar, për ti nënshtruar ata, për tu zbehur të drejtën që ju garanton aksioni i tyre në vendimarrje dhe, interesi i vlerës së aksionit- dividentit, bashkë me pagat punëtore.
Poseduesi i shumicës së kapitalit të transformuar në aksione, nëpërmjet bordit dhe këshillave udhëheqës, që vetë i përcakton dhe shkarkon me fuqinë e aksionit, në shtetin tonë të dobët juridik, vecanërisht të atyre shpirtërave hajdutë, bukëshkalë, bëjnë korrupsion në gjithçka të mundëshme, deri në gjërat më banale si psh: shitje – blerjet fiktive të pronave, cmimet fiktive dhe të paregjistruara të ushqimeve dhe ahengjeve në lokalet – restorante, fshehjen e taksave, deri te keqpërdorimi i karburantit të makinave, makinat e shoqërisë aksionare, mëditjet ditore të punëve jashtë qytetit apo shtetit, shpenzimet e ushqimeve për darka e dreka nepotizmi apo të financimeve partiake klanore, blerjeve fiktive, e shumë të tjera. Ky korrupsion është lehtë i evidentueshëm edhe nga syri më i pavëmendëshëm qytetar, ngase kur bëhet një krahasim i thjeshtë i të ardhurave dhe shpenzimeve – pasurive, të këtyre aksionareve dominues – udheheqës të shoqërive aksionare, shohim një disproporcion tejët të madh. Këtu flasim vetëm për syrin qytetar, se syri i pushtetit, sic e theksuam më lartë, zgjohet ndonjëherë vetëm në qeverisje fillestare me denoncimin e majës së ajzbergut të korrupsionit, por që fatkeqësisht pjesa tjetër dhe koha tjetër mbetet e heshtur në dobi të abuzimit kriminal.
Shembull korrupsioni në shoqëri aksionare, psh: bëhet një investim i cili kushton në realitet 300 mijë euro, por bordi udhëheqës apo këshillat drejtues, me fuqinë e poseduesit të shumicës së aksioneve, kontraktojnë me kompaninë ndërtuese sikur është investim prej 500 mijë euro, domethënë 200 mijë euro mbesin korruptive në xhepin e udhëheqësit të shumicës aksionare. Ose shembull tjetër, poseduesi i kësaj shumicë, nga prona e tij private, i shet shoqërisë aksionare një pronë shumëfish me të shtrejntë se vlera e saj në treg. Anasjelltas, një pronë të shoqërise aksionare, me vlerë shumë më të madhe, e blen si pronë të tij private, me çmim shumë të ulët. Kështu dëmton buxhetin e shoqërisë aksionare, në dobi të xhepave të tij të korruptuar, me konsumimin e pastër të veprës penale, konflikt interesi.
I gjithë ky korruptim në dëmin e punëtorëve dhe aksionarëve të vegjël, pagave, tatimit ndaj shtetit dhe i një pjesë që i shkon pushtetit lokal. Mos flasim pastaj për shitjet e paligjshme të pasurisë së shoqërisë aksionare, aseteve të ndryshme, gjithmonë me çmime fiktive – korruptive. Si shembull konkret, mund të marrim ish kryetarin i Bordit Udhëheqës të kombinatit të miellit “Zhito Bitolla” në Manastir, Petar Ilievski, i ashtuquajturi “Puero”, i cili para disa vitesh dënohet disa vite burg, për vepra penale në ushtrimin e detyrës si drejtues i “Zhito Bitollës” dhe atë: shkatërrim dhe falsifikim të librave të biznesit; shitblerje joligjore; hipoteka të paligjshme, keqpërdorime me aksionet etj.
Korrupsioni, shantazhi apo manipulimi që poseduesi i shumicës aksionare, ju bën aksionarëve të vegjël, për t’ju blerë aksionet bëhet në atë mënyrë, kur u premtohet para në të zezë, ose në ndonjë formë tjetër shpërblimi në marrëdhënien e punës, formë fiktive shpërblimi me vlerë të pakët. Në të kundërtën, shantazhohen me ndërrim të vendit të punës, presionet e njohura të punëdhënësit ndaj punëmarrësit, saqë diku detyrojnë të bëjë kontratë dhurate në dobi të poseduesit të kësaj shumice aksionare. Në të gjitha rastet, bëhen me kontrata dhurate, ndërsa ju paguhen në të zezë shumë herë më pak sesa vlera e vërtetë e aksioneve të aksionarit të vogël (në ditën e kalimit të aksionit). Shembull, nëse kapitali bazë para 13 viteve, i një shoqërie aksionare, ka qenë 1(një) milion euro, e ndarë kjo mbi 20.000 (njëzet mijë) aksione, të ndara për aksionarin e vogel 30(tridhjetë) aksione për person, me vlerën e përcaktuar fillestare prej 50 euro të një aksioni. Por sot kur vlera e kapitalit bazë të shoqërisë së njejtë aksionare, shndërrohet në herë më të madhe, minimalisht 30 milion euro, do të thotë se edhe vlera e 1(një) aksioni është 1.500 (njëmijë e pesëqind) euro. Rezultati është se çdo aksionar i vogël me 30 (tridhjetë) aksione, ka kapital në vlerë prej 45.000 (dyzet e pesë mijë) eurove.
Theksojmë edhe atë që jo rrallë herë këta posedues të shumicës aksionare mburren ose trumbetojnë në publik, se sikur mbajnë shumë familje me bukë, duke manipuluar opinionin dhe ndoshta besuar gënjeshtrat e veta. Faktet flasin se edhe para se të privatizohen aksionet, në këto shoqëri, të punësuarit ishin aty, ndërsa sot, situata mund të jetë edhe më keq. Këta drejtues të shoqërive aksionare, disa e zvogëlojnë numrin e të punësuarve, si tepricë teknologjike, e disa të tjerë, nuk i ngrenë rrogat e punëtorëve. Pasi, kushdo njeri i ndershëm që do ti merrte në udhëheqje shoqëri të tilla aksionare të burimeve natyrore, minimalisht do siguronte paga shumë më të larta për punëtorët, njëkohësisht edhe shtimin e numrit të tyre.
Nga të rëndësishmet e korrupsionit, padyshim është fshehja e tatimit, detyrimeve që subjektet duhet ti paguajnë shtetit. Për shkaqet e mësipërme, në shoqëritë aksionare mënyra e manipulimit me taksat, është në dimensione tjera. Një formë tjetër me abuzimin e taksave, është edhe pagesa e taksës së koncesionit, jo në përputhshmëri me ligjin adekuat. Bëhet fshehje e sasisë së shfrytëzimit të së mirës natyrore. Shembull: shfrytëzohet një e mirë natyrore 50 tonë minerale, apo 50 litra ujë në second, ndërsa me anë të korrupsionit – ryshfetit, paguhet dhjetëfish më pak taksë.
Çdo akt për mos pagimin e këtij tatimi, dhe gjithë korrupsioni i lartëshënuar, fillimisht dëmton aksionarët e vegjël, por që janë të shumtë, duke vazhduar me pagat e diskriminuara të punëtorëve, pastaj dëmton mbarë mirëqenien shoqërore. Ndërsa në anën tjetër krijon persona shumë të pasur korruptiv, ashtu siç ndodh në vendet me demokraci të cunguar, shtete të dobëta të sundimit ligjor. Prandaj është e nevojshme ngritja e shtetit të se drejtës nëpërmjet një sistemi gjyqësor efikas, një sistem që nuk do bëhej palë me krimin e shoqërive aksionare, por të lufton kriminalitetin në dobi të përgjithshme.