35 vjeçari Alfred Mikeli i arrestuar sot në Kavajë është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Një vit më parë ai u kap si person në kërkim pasi ishte dënuar në mungesë. Kanë qenë dy efektivët e Policisë së Durrësit Gëzim Lluka dhe Viktor Buca të cilët e arrestuan.
Pasi janë vënë në dijeni të vendit ku ndodhej personi në kërkim, e kanë lokalizuar atë dhe e kanë kapur duke e marrë në automjetin me të cilin lëviznin.
Por rrugës teksa po e transportonin me makinën e policisë, Alfred Mikeli u ofroi 10 mijë Euro policëve, nga 5 mijë Euro secilit, për ta lënë të lirë. Dhe kështu ndodhi. Dy policët e lanë të lirë Alfred Mikelin të largohej në këmbim të marrjes prej tij të një shumë prej 10.000 (dhjetë mijë) Euro. Por SPAK nisi hetimet për këtë rast dhe konkludoi me arrestimin e dy efektivëve Gëzim Lluka dhe Viktor Buca.
Si u arrestua sot 35 vjeçari dhe akuzat që rëndojnë mbi të? Mikeli u kap në fshatin Qerret të Kavajës gjatë një operacioni të koduar “Last Move” i forcave të Komisariatit Nr.2 të Policisë së Tiranës. Ai është dënuar në mungesë nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda më 18 Dhjetor 2018 për veprën penale të trafikut të drogës të kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, ndaj tij ka edhe një masë sigurie arrest në burg për korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike, dhënë nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Gjatë kontrollit fizik të shtetasit Alfred Mikeli, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, shuma parash, dy mjete identifikimi të dyshuara të falsifikuara dhe dy aparate celulare./abc/