Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, tha se 20 vjet më parë SHBA-ja ka mbështetur intervenimin e NATO-s për t’i dhënë fund regjimit të spastrimit etnik të Millosheviqit, pas dështimit të përpjekjeve diplomatike për të arritur një zgjidhje paqësore.
Në një adresim në 20 vjetorin e bombardimeve të NATO-s, ambasadori Kosnett tha se tani është koha që Kosova dhe Serbia të ndërtojnë shoqëri ku të gjitha komunitetet jetojnë bashkë në paqe dhe me dinjitet. Ai ka bërë thirje që të shtohen përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur në Kosovë.
“Pra sot, si reflektim – unë bëj thirrje për veprim. Inkurajoj qeveritë e Kosovës dhe Serbisë të garantojnë se viktimat dhe familjet e tyre – të të gjitha kombësive dhe komuniteteve – kanë qasje të plotë në informata për fatin e të zhdukurve. Si dhe bëj thirrje tek të dyja qeveritë të rrisin përpjekjet për të vendosur drejtësi për viktimat e krimeve të luftës”, tha Kosnett.
Ambasadori Kosnett theksoi së në këtë 20 vjetor, duhet të përkujtohen qindra mijëra viktima të pafajshme, që lëshuan shtëpitë e tyre dhe ata që u zhdukën. Shtetet e Bashkuara, tha ai, kanë vepruar për të garantuar paqe dhe stabilitet në rajon.
Data 24 mars shënon 20 vjet nga fillimi i bombardimeve të NATO-s mbi caqet e ish-Jugosllavisë. Fushata, që i dha fund luftës në Kosovë, zgjati 78 ditë.
Pas bombardimeve u krijuan kushtet për kthimin e shpejtë të rreth 1 milion shqiptarëve të Kosovës, të cilët autoritetet serbe i kishin dëbuar me dhunë në Maqedoni dhe Shqipëri, si dhe në vendet tjera të botës.
Mbi 12 mijë të vrarë, 2 mijë persona të pagjetur dhe mbi 800 mijë persona të dëbuar nga Kosova, ishte bilanci në njerëz i luftës në Kosovë.