Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett e uroi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriun për zgjedhjen në këtë pozitë.
“SHBA-ja mbetet e përkushtuar për partneritet të ngushtë me Republikën e Kosovës për të ndërtuar një të ardhme paqësore, të drejtësisë dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët”, thuhet në një postim të ambasadorit Kosnett në rrjetin social Twitter.
Me 71 vota për, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur të dielën, Vjosa Osmanin në postin e presidentes. Pas zgjedhjes, ajo bëri betimin para deputetëve.
Ajo fitoi në raundin e tretë të votimit. Për kundërkandidat kishte ish-kandidatin për deputet, Nasuf Bejtën. Në raundin e tretë të votimit morën pjesë 82 deputetë, ku 11 vota ishin të pavlefshme. Që të dy në zgjedhjet e 14 shkurtit kanë kandiduar me Listën e Osmanit, që garoi në kuadër të listës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.