Kosova i është bashkuar Partneritetit për Qeverisje të Hapur, një nismë ndërkombëtare që përfshin 76 qeveri kombëtare, bëri të ditur kryeministri Albin Kurti, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Kurti ka shkruar në rrjetin social X (ish Twitter) se është i kënaqur të njoftojë se Kosova i është bashkuar Partneritetit për Qeverisje të Hapur, “një nismë ndërkombëtare që përfshin 76 qeveri kombëtare dhe 104 qeveri lokale dhe inkurajon transparencën, llogaridhënien dhe qasjet inovative për angazhimin publik”.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi u shpreh i lumtur duke ndarë lajmin për anëtarësim në “Open Government Partnership”.
“Ne, përmes kësaj organizate i bashkohemi kombeve të botës demokratike, duke u zotuar mbi parimet e përbashkëta për qeverisje të hapur, të përgjegjshme dhe inovative duke u angazhuar për rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje”, theksoi Krasniqi.
Partneriteti për qeverisje të hapur është një nismë vullnetare ndërkombëtare, e nisur në vitin 2011, e cila promovon bashkëpunimin shumëpalësh, mbështet dhe ndihmon zhvillimin e hapjes, transparencës dhe përgjegjësisë së administratës përmes bashkëpunimit të hapur të përfaqësuesve të administratës shtetërore.