Kosova pret që deri në fund të vitit të pranojë 1.213.290 doza të vaksinës kundër koronavirusit të kompanisë Pfizer, tha ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Pas mbledhjes së qeverisë, Vitia tha në një konferencë për media se nga 15 qershori, do të nisë së zbatohet plani i imunizimit në masë kundër koronavirusit. Vitia tha se plani i imunizimit në masë parasheh administrimin e një numri mes “300 mijë dhe 400 mijë vaksinave në muaj”.
Kjo është kontrata e parë që Kosova ka arritur të nënshkruajë me ndonjë kompani farmaceutike për sigurimin e vaksinave kundër koronavirusit. Deri më tani, Kosova ka përdorur vaksinat e dhuruara nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe nga Bashkimi Evropian.
Të enjten, Kosova pranoi një kontingjent prej mbi 100 mijë vaksinash të kompanisë Pfizer nga COVAX-i.
Aktualisht, po vaksinohen personat personat nga mosha 65 deri në 79 vjeç, pasi u vaksinuan personat mbi 80 vjeç, ata me sëmundje kronike dhe personeli shëndetësor.
Qeveria e Kosovës synon që deri në fund të vitit të vaksionojë 60 për qind të popullatës.