Sado që liria dhe për të qenë i pavarur është diçka thelbësore dhe e padiskutueshme, kjo nuk ndodhi me Republikën e Kosovës.
Për të qenë një njeri i lirë në vendin e lindjes, atdheun e tij/saj, në secilin vend në botë nuk është një gjë e jashtëzakonshme, por për kosovarët në veçanti e shqiptarët në përgjithësi kjo ishte e tillë gjatë gjithë kohës.
Kosova përjetoi shumë tragjedi e flijime deri në ditën e pavarësisë së saj. Njerëz të shumtë ende të zhdukur nga lufta e fundit janë plagë e hapur në mes të shumë plagëve të mbetura në popullin e Kosovës, por që prekën edhe bashkëkombasit nga vendet e tjera shqipfolëse.
Cilat janë momentet të cilat duhet t’ia kujtojmë vetes në këtë përvjetor të pavarësisë së Kosovës?
Përpjekjet e kosovarëve për liri datojnë me shekuj, por ato kanë marrë forma më konkrete të organizimit nga fundi i viteve të ‘80-ta dhe fillimi i viteve të ‘90-ta. Atëherë, kur edhe filloi shpërbërja e ish-Jugosllavisë. Vitet 1988-1989 shënuan protesta masive të shqiptarëve kundër politikës represive të Serbisë ndaj Kosovës. Në muajin shkurt të vitit 1989 ishte greva e minatorëve të kompleksit Trepça, kjo e fundit ndikoi jashtëzakonisht shumë në njohjen e gjendjes prej vërteti, asaj që edhe e kërkonte populli i Kosovës. Greva ishte një protestë e cila po e sulmonte ish-Jugosllavinë në pikat e saj më të dobëta, ngaqë edhe vetë sistemi i ishte dobësuar. Më 5 mars të vitit 1998, forcat serbe sulmojnë fshatin Prekaz i Ulët, ku në mes të vrarëve ishte edhe Adem Jashari, sinonimi i luftës e trimërisë drejt arritjes së lirisë së bashku me familjen e tij. Më 23 mars 1989, në Kuvendin e Kosovës, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, ndryshohet Kushtetuta e vitit 1974, me çka edhe suprimohet autonomia e Kosovës në Federatën Jugosllave. Aty më 2 korrik të vitit 1990, Kuvendi i Kosovës shpalli deklaratën kushtetuese që e definonte Kosovën Republikë, që u pasua edhe me nxjerrjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, më 7 shtator të vitit 1990. Me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë, Kosova organizoi edhe referendumin për pavarësi e sovranitet, të mbajtur në shtatorin e vitit 1991. Nga ky moment, në Kosovë instalohet sistemi i organizimit paralel, që pasoi zgjedhjet e mbajtura jashtë sistemit juridik serb, në të cilat Rugova zgjidhet president i Republikës së Kosovës dhe formon qeverinë në ekzil, të udhëhequr nga kryeministri Bujar Bukoshi. Më 1 tetor të vitit 1997, Lëvizja Studentore organizon një protestë masive, e cila i dha një dimension të ri politik zhvillimeve në Kosovë, nga kjo protestë pati të arrestuar dhe dhunë. Vrasjet dhe masakrat e shumta kulmojnë më 15 janar të vitit 1999, kur forcat serbe ekzekutojnë 45 civilë shqiptarë në Reçak. Ish-shefi i Misionit Mbikëqyrës të OSBE-së në Kosovë, Villiam Volker, doli botërisht dhe e tha se ajo ishte një masakër. Nga kjo pasoi organizimi i Konferencës së Rambujesë e cila fillon më 6 shkurt dhe mbaron më 23 shkurt pa rezultate përfundimtare. Kështu, thirret vazhdimi i saj për datën 15 mars në Paris. Ndërkohë, delegacioni politik e ushtarak i Kosovës nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë, pala serbe refuzon ta nënshkruajë. Me këtë veprim, hapet rruga për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë. Më 10 qershor të vitit 1999, Millosheviqi nënshkruan kapitullimin dhe NATO më në fund hyn në Kosovë. Nën administrimin ndërkombëtar, në Kosovë mbahen tri palë zgjedhje të të dyja niveleve. Pas zgjedhjeve të 17 nëntorit të vitit 2001, më 4 mars të vitit 2002, Kosova formon qeverinë e parë dhe zgjedh presidentin dhe kryeministrin. Por, ndonëse shumëkush ka pritur që Kosova për 3 vjet të UNMIK-ut do të pavarësohet, kjo nuk ndodhi. Kosovës iu deshën afër nëntë vjet për të marrë mbështetjen e plotë ndërkombëtare për të qenë shtet i pavarur. Më 28 shtator të vitit 2005, me kërkesën e ndërkombëtarëve dhe me miratimin e presidentit Rugova, Kuvendi i Kosovës formoi Ekipin Negociator për statusin. Kosova kërkonte pavarësi, kurse Serbia ofronte autonomi. Përpjekjet ndërkombëtare nuk kanë rezultat as me zëvendësimin e Rezolutës 1244 për t’i hapur rrugën pavarësisë së Kosovës përmes Kombeve të Bashkuara. Kjo për shkak se Rusia kërcënoi me veto në Këshillin e Sigurimit. Pas një interpretimi nga ekspertët evropianë, doli se Rezoluta 1244 ka bazë juridike për shpalljen e pavarësisë dhe largimin e misionit të Kombeve të Bashkuara dhe vendosjen e një misioni civil të Bashkimit Evropian. I gjithë procesi u dakordua me Prishtinën dhe u miratua shpallja e koordinuar e pavarësisë ndërmjet Uashingtonit, Brukselit dhe Prishtinës, sipas planit të Ahtisaarit. Kështu, Bashkimi Evropian miraton dërgimin e misionit civil në Kosovë për të mbikëqyrur zbatimin e pakos së Ahtisaarit dhe për të siguruar sundimin e ligjit në shtetin më të ri të familjes evropiane. Pas këtij hapi, Kosova shpall pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008./FolDrejt/ZR/