Njohja e patentë-shoferëve të Kosovës në Gjermani është vetëm edhe disa hapa larg.
Këtë e bëri të ditur sot Ambasada e Kosovë në Gjermani, duke thënë se në Komisionin për Transport dhe Komunikime Digjitale në Bundesrat është shqyrtuar rekomandimi i Ministrisë Federale të Komunikimeve Digjitale dhe e Transportit të Gjermanisë dhe si i tillë, për njohjen e patentë-shoferëve.
Sipas ambasadës, ky rekomandim ka kaluar pa asnjë vërejtje.
“Duke qenë se Ministria Federale e Komunikimeve Digjitale dhe e Transportit të Gjermanisë i ka rekomanduar me datë 29 dhjetor 2021 Këshillit Federal (Bundesrat-it) të procedojë tutje me miratimin e marrëveshjes, ka mbetur që Bundesrat-i, si instanca finale institucionale, të thotë fjalën e fundit”.
“Kështu që, sot, më datë 26 janar 2022 në Komisionin për Transport dhe Komunikime Digjitale në Bundesrat është shqyrtuar rekomandimi i Ministrisë Federale të Komunikimeve Digjitale dhe e Transportit dhe si i tillë, ky rekomandim KA KALUAR PA VËREJTJE. Nga ana e Bundesrat-it ka mbetur edhe hapi i fundit procedural, që është votimi në seancën plenare të Bundesrat-it më 11 shkurt 2022”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.