Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se një delegacion nga Kosova ka negociuar në Tiranë me delegacionin e Shqipërisë lidhur me marrëveshjen për njohjen e të drejtës së ndërsjellë të ushtrimit të profesioneve të avokatit dhe ndërmjetësuesit mes dy vendeve, raporton Fol Drejt.
“Negociohet marrëveshja për njohjen e të drejtës së ndërsjellë të ushtrimit të profesioneve të avokatit dhe ndërmjetësuesit mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.”, shkruan në komunikatën e MD-së.
Në njoftim theksohet se delegacionet e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë sot në Tiranë kanë negociuar dhe finalizuar tekstin e marrëveshjes për njohjen e të drejtës së ndërsjellë të ushtrimit të profesioneve të avokatit dhe ndërmjetësuesit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Me këtë marrëveshje synohet zgjerimi dhe forcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit në fushën e drejtësisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.
Marrëveshja pritet të nënshkruhet nga ministrat e Drejtësisë së të dyja vendeve në mbledhjen e rradhës të përbashkët të qeverive të të dyja vendeve. /FolDrejt/