Kosova brenda këtij viti do të rris numrin e misioneve diplomatike në shtete të ndryshme. Ministria e Punëve të Jashtme, ditë më parë njoftoj se Kosova do të bëjë hapjen e ambasadave në Tajlandë, Bangladesh, Kolumbi dhe Ganë.
Lidhur me këtë, Fatmir Haxholli, këshilltari politik i Ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë për Telegrafin, se numri i misioneve diplomatike brenda dy viteve do të rritet.
“Në funksion të zgjerimit të rrjetit të përfaqësimit diplomatik në gjeografi të reja, vendosjes së marrëdhënieve të reja, si dhe thellimit të bashkëpunimit me vende të ndryshme, është duke ndodhur hapja e misioneve të reja diplomatike. Kjo është një punë në progres, dhe do të vazhdoj me mundësinë e hapjes edhe të misioneve të tjera. Ju keni përmendur katër prej tyre, përderisa në një interval kohor brenda 1 deri në 2 vite, numri i misioneve të reja mund të rritet deri në 10 apo edhe më shumë”, ka thënë Haxholli.
Ai ka theksuar se gjithë kjo varet drejtpërdrejt nga interesat dhe prioritetet strategjike të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës. Haxholli ka shtuar se ka sinjale pozitive për bashkëpunim edhe nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën