Ministritë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe të Malit të Zi mbajtën konsultimet politike.
Në njoftimin e MPJD-së thuhet se konsultimet politike u mbajtën në Podgoricë dhe u udhëhoqën nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, dhe sekretari i Shtetit për Punë të Jashtme të Malit të Zi, Ljubomir Mishuroviq.
Përgjatë takimit u diskutua për marrëveshjet bilaterale të cilat janë në proces të finalizimit, situatën e sigurisë në rajon, bashkëpunimin në dimensionin multilateral, thellimin e lidhjeve ekonomike dhe investimet e përbashkëta infrastrukturore.
“Bëhet e ditur se zëvendësministri Ahmeti e njoftoi delegacionin malazez për planet e Republikës së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, duke vënë theksin në procesin e tanishëm të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ai falënderoi Malin e Zi për mbështetjen e pakusht në këtë proces të anëtarësimit”.
“Po ashtu u diskutua edhe për çështje të sigurisë dhe masat që kanë ndërmarrë të dyja vendet, sidomos pas situatës së krijuar nën hijen e agresionit ushtarak të Federatës Ruse ndaj Ukrainës.Ndikimi i dëmshëm i vendeve të treta në rajonin tonë është shqetësim i përbashkët dhe bashkëpunimi për luftimin e tij është i domosdoshëm”, thuhet në njoftim.