Ministria e Shëndetësisë e Qeverisë së Kosovës ende nuk ka dhënë dritën e gjelbër për vaksinimin e personave të moshës 12 deri 15 vjeç kundër koronavirusit. Siç thonë, kjo mundësi është duke u shqyrtuar, por një vendim i tillë do të merret në “momentin e duhur”.
Nga muaji gusht, Qeveria e Kosovës ka lejuar imunizimin kundër koronavirusit edhe për personat mbi 16 vjeç, ndërsa për grupmoshën 12-15 vjeç, vaksinimi bëhet me prioritet dhe sipas indikacioneve shëndetësore.
Administrata Amerikane për Ushqim dhe Ilaçe në muajin maj të këtij viti, ka autorizuar përdorimin e vaksinës kundër koronavirusit të prodhuar nga Pfizer/BioNTech për fëmijët e moshave 12-15 vjeç.
SHBA-ja veçse është duke i vaksinuar fëmijët e moshave nga 12 vjeç e lart.
Kurse, më 27 tetor, një panel i qeverisë amerikane ka votuar për të rekomanduar vaksinën edhe për fëmijët e moshës nga pesë deri në 11 vjeç.
Kemajl Ratkoceri, nga komuna e Lipjanit, ekonomist me profesion, është baba i tre fëmijëve. Vajza e tij e vogël, tashmë është 14 vjeçe dhe ai shprehet i gatshëm të pranojë që ajo të vaksinohet nëse një gjë e tillë kërkohet nga autoritetet shëndetësore.
“Nëse Organizata Botërore e Shëndetësisë ka studime, fakte dhe rekomandon që vaksina nuk ka efekte tjera anësore, atëherë duhet t’i vaksinojmë edhe fëmijët. Po bazohemi edhe në të kaluarën edhe ne si fëmijë kemi pasur vaksina të ndryshme. Unë do të pranoj të vaksinohet vajza ime, ne duhet të bazohemi diku, unë nuk jam ekspert i fushës dhe bazohem në ekspertët e shëndetësisë, sepse nëse gjithsecili vepron me hamendje, atëherë nuk di se ku do të shkojmë”, thotë Ratkoceri. Raporton Gazetaexpress percjell Foldrejt.com