I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, pas nënshkrimit të marrëveshjes energjetike mes Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit dhe Kosovës, tha se marrëveshja është shenjë e thellimit të bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Shteteve të bashkuara.
“Kosova është një partner jashtëzakonisht i mirë në rajon, është një vend kompentent në marrëdhënien tonë në rajon. Gjithçka që mund të bëjmë për ta thelluar bashkëpunimin, jemi të lumtur ta bëjmë”, tha ai.
lidhur me rrezikun e ndikimit të situatës së krijuar në Ukrainë dhe synimeve të Moskës tek Ballkani Perëndimor, zoti Escobar u shpreh optimist për zmbrapjsen e këtyre synimeve në rajon.
“Asnjëherë nuk kemi parë një unitet të tillë që kemi tani brenda NATO-s dhe unitetin që kemi me partnerët tanë evropianë për t’u siguruar që siguria evropiane është përparësia jonë më e madhe. Në këtë kontekst e konsiderojmë edhe Ballkanin Perëndimor dhe besoj që Ballkani Perëndimor do të jetë në rregull”, tha ai, për Zërin e Amerikës.
Ai shtoi se megjithë sfidat e ndryshme, të gjitha vendet e rajonit kanë përkrahjen dhe vëmendjen e Shteteve të Bashkuara.
Shtetet e Bashkuara dhe Kosova nënshkruan të mërkurën në Uashington marrëveshjen e programit kompakt të Korporatës amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit përmes së cilës pritet të investohen mbi 236 milionë dollarë në sektorin e energjisë. 202 milionë do të sigurohen nga qeveria amerikane.
Marrëveshja, e cila sipas zyrtarëve të Kosovës, është investimi më i madh që do të bëhet në sektorin energjitik në 40 vitet e fundit u nënshkrua nga Ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli Berisha dhe Shefja e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, Alice Albright.
Qëllimi i ndihmës financiare amerikane është të sigurohet pavarësia e sektorit të energjisë në Kosovë, duke u përqëndruar në ruajtjen e energjisë elektrike për periudha kur nevoja është më e madhe, sidomos në kohë dimri.
Projekti po ashtu ka për qëllim edhe rritjen e burimeve njerëzore, sidomos trajnimi i grave dhe punësimi i tyre në sektorin energjitik të Kosovës, një fushë që kryesisht dominohet nga burrat. /VoA/