Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar sot se brenda disa javësh do të arrijnë vaksinat e para në Kosovë, teksa për faktin se Kosova ende nuk ka vaksina të tilla është shfajësuar duke thënë se kanë dashur të pranojnë vetëm vaksina të certifikuara. Këto komente Hoti i bëri në mbledhjen e Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës epidemiologjike lidhur me Covid-19, ku tha se si qeveri ia kanë dal që me sukses të menaxhojnë me pandeminë. Ai ka lavdëruar komitetin për punën e mirë që sipas tij, ky komunitet ka bërë për menaxhimin e pandemisë.
“Për disa javë presim arritjen e vaksinave dhe do të fillojmë vaksinimin masiv bazuar në strategjinë e imunizimit që tash është përgatitur. Informatat që mora dje nga ministri dhe drejtori i instituti janë inkurajuese, duke bërë të mundur që të identifikojmë njerëzit përmes platformës elektronike, duke caktuar saktë orën dhe datën kur do të vaksinohen”, tha ai.