Evropa po vijon të përballet me një krizë energjetike të paprecedent, ndërsa për shkak të luftës Rusi – Ukrainë, rrezikohet edhe furnizimi me gaz, e për rrjedhojë edhe mungesë të ngrohjes. Kosova, po ashtu, nuk i ka shpëtuar këtij skenari, shkruan Fol Drejt.
Në Kuvendin e Republikës së Kosovës sot është mbajtur një seancë e jashtëzakonshme duke e pasur për fokus pikërisht këtë temë: Krizën ekonomike! Qeveria ka kërkuar të rishpallen masa emergjente për 30 ditë. Megjithatë, përkundër kërkesës, opozita e ka kundërshtuar ashpër këtë kërkesë, duke ngritur pyetje, sipas tyre, shumë kruciale për sa i përket situatës:
“Çfarë ki me ba për 30 ditë?” – pyeti Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Para tij, edhe deputetët e tjerë opozitarë e cilësuan si absurde kërkesën.
“Pse e hoqët nga agjenda çështjen e udhërrëfyesit? Dhe i keni futë tabelat sot dhe nuk po flas për pjesën politike tash. Po sovranitet është edhe energjia, jo veç tabela. Shtrirja e sovranitetit në veri, pikërisht me udhërrëfyesin është. Dhe dëmi është se çështja e udhërrëfyesit ka kosto financiare shumë më të lartë… Vetëm gjatë vitit 2021 dhe gjatë vitit 2022 deri në tetor, pra dy vjet të qeverisjes suaj jo të plota, buxhetit të Kosovës çështja e devijimeve në veri i ka kushtuar 84 milionë euro” – tha Ferat Shala nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Por çfarë ka ndodhur në Evropë? Çfarë lloj masash janë marr?
Sipas IMF-së, brenda vitit proceset industriale janë ulur për 89%. Çmimet me shumicë të energjisë elektrike dhe gazit, po ashtu janë rritur për 15%, që nga fillimi i vitit 2021.
Kostoja e lartë, si rrjedhojë, i ka rënduar ekonomitë familjare ndërsa Evropa ka rrezik të përjetojë dimrin e saj të parë pa gazin rus.
“Por qeveritë evropiane kanë filluar të zbatojnë një sërë masash e politikash, me qëllim që ta zbusin krizën. Një klasë e politikave synon të zbusë ndikimin e kostove më të larta tek konsumatorët dhe bizneset. Këto përfshijnë kufijtë e çmimeve të shitjes me pakicë, tarifat e rregulluara, programet mbështetëse për kompanitë me intensitet energjie dhe likuiditetin ose mbështetjen e kapitalit për kompanitë e energjisë, duke përfshirë edhe shtetëzimin. Një klasë tjetër masash synon të stabilizojë dhe të ulë çmimet e shitjes me shumicë dhe të sigurojë sigurinë e energjisë. Kjo përfshin politika për të inkurajuar kursimet e energjisë dhe për të rritur furnizimin, por edhe për të kufizuar kostot e energjisë, veçanërisht çmimet e gazit me shumicë.”
Megjithatë, këto masa nuk duken ideale sipas IMF-së:
“Masa të tilla nuk ofrojnë zgjidhje të pastra, për dy arsye. Së pari, objektivat kontradiktore: subvencionet ose kufizimi i çmimeve mund ta përkeqësojnë problemin themelor duke rritur kërkesën. Së dyti, përhapjet ndërkufitare: subvencionimi i konsumit të energjisë mund të përfitojë konsumatorët në një vend, por gjithashtu do të rriste konsumin, duke çuar në çmime më të larta të shitjes me shumicë në të gjithë Bashkimin Evropian dhe duke dëmtuar konsumatorët në vende të tjera.
Një vlerësim i opsioneve të politikave të disponueshme çon në një përfundim të qartë. Qasja që trajton më së miri të dyja problemet është një përpjekje e koordinuar nga qeveritë për të reduktuar kërkesën për energji dhe për të rritur ofertën duke mbajtur të hapur tregjet e brendshme të energjisë dhe duke mbrojtur konsumatorët e cenueshëm.”
Konteksti i Kosovës
Bilanci i Energjisë në Kosovë për muajin shtator të këtij viti, nga Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK), tregon se “prodhimi bruto nga termocentralet e energjisë elektrike ishte 460.04 GWh; prodhimi bruto nga hidrocentralet e energjisë elektrike ishte 9.03 GWh; dhe prodhimi bruto nga era dhe ajo solare e energjisë elektrike ishte 35.75 GWh.”
Po ashtu, sipas këtij raporti:
“Gjatë muajit shtator të vitit 2022, energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 454.52 GWh, kurse konsumi i energjisë elektrike ishte 314.96 GWh, ose 6.1% më i vogël me muajin e njëjtë të vitit paraprak. Pjesëmarrja e energjisë elektrike alternative në kuadër të konsumit të përgjithshëm ishte 14.22%.
Ndërkaq, importi i energjisë elektrike në shtator të vitit 2022 ishte 273.26 GWh, kurse eksporti i energjisë elektrike në të njëjtën periudhë ishte 323.55 GWh (këtu është i përfshirë edhe transmisioni).
Prodhimi i thëngjillit ishte rreth 8.44 mijë ton, ose 57.22% më shumë sesa në muajin e njëjtë të vitit paraprak.”
Po sipas të dhënave të këtij institucioni, që nga viti 2019 e këndej, sasia përgjithshme (bruto) e energjisë në shfrytëzim, ka ardhur duke u rritur:
Në vitin 2019 ka qenë 2707.11 ktoe;
në vitin 2020 ka qenë 2733.89 ktoe;
në vitin 2021 ka qenë 2873.69 ktoe.
Megjithatë estabilishmenti aktual nuk ia ka dalë ta menaxhojë aq mirë krizën, e aq më pak ta evitojë tërësisht. Sot në Kuvendin e Kosovës, sërish u shtrua për shqyrtim kërkesa për vazhdimin e masës emergjente. Kjo kërkesë u mbështet pa asnjë kundërshtim. Më saktësisht 61 vota “Pro”, asnjë “Kundër” dhe asnjë “Abstenim”, ka kaluar kjo kërkesë./FolDrejt/