Serbia duhet të pranojë kryerjen e gjenocidit gjatë periudhës 1998-1999 në Kosovë, të bashkëpunojë për dënimin e kriminelëve dhe t’i riparojë dëmet e shkaktuara nga gjenocidi.
Kjo është përmbledhja e draft-rezolutës së përpiluar së fundi nga Komisioni ad-hoc i Kuvendit të Kosovës rreth njohjes së gjenocidit të kryer nga shteti serb në vitet 1998-1999, shkruan sot “Koha Ditore”.
Draft-rezoluta, një kopje të së cilës e posedon “Koha Ditore”, përmban faktet e krimeve serbe, bazën ligjore, dhe konstatimet. Ky dokument pritet të miratohet në Komision këtë javë dhe pastaj të përcillet për miratim në seancë plenare.
Për ish-bashkëpunëtorët profesionalë të Institutit për Hulumtime të Krimeve të Luftës, Kosova ka fakte të mjaftueshme me të cilat dëshmohet kryerja e gjenocidit nga Serbia. Sa i përket rezolutës, ata vlerësojnë se deri më tani është dëshmuar se rezolutat nuk kanë gjetur zbatim, dhe kanë kërkuar që vëmendje t`i kushtohet formimit të një gjykate, që do të merrej me krimet e luftës.