Niveli dhe mënyra me të cilën informohen dhe marrin informacione qytetarët e Kosovës duket se nuk i ka siguruar vendit tonë një pozicion të mirë në nivel kontinental.
Në emisionin “Libertas” në kuadër të Radio Evropa e Lirë, duke iu referuar të dhënave të Open Society Foundation, Kosova del të jetë ndër vendet evropiane më të rrezikuara nga dezinformimi dhe keqinformimi, transmeton Fol Drejt.
Siç bën të ditur Dije Morina, udhëheqëse e Libertas, prej 41 pozicioneve sa i përket informimit, Kosova zë vendin e 40-të, që e bën këtë vend një vend të rrezikuar nga dezinformimi, përkrah vendeve si Gjeorgjia e Maqedonia e Veriut.
“Rreziku për keqinformim dhe dezinformim rritet me përdorimin e madh të platformave digjitale. Në Kosovë aktualisht janë rreth 870 mijë përdorues të platformës sociale Facebook, e cila sipas Institutit Kombëtar Demokratik, është kryesorja që kosovarët përdorin për marrjen e informatave lidhur me ngjarjet në vend.”, thuhet ndër tjerash në emisionin Libertas.
Mirëpo, cilat janë zakonisht temat rreth të cilave keqinformohen qytetarët, çfarë platformash përdoren më së shpeshti për të shpërndarë lajme të rreme, cilat janë target-grupet dhe si mund të përmirësohet kjo situatë përmes sistemit të edukimit në Kosovë?
Ndiqeni të plotë emisionin në audion e mëposhtme për përgjigje në çështjet e shtruara: