Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka nënshkruar më 16 dhjetor në Ankara marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes me Presidencën e Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një njoftimi nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, marrëveshja nga pala kosovare është nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, Faruk Geci, ndërsa për palën turke, ka nënshkruar kryetari i Presidencës së Industrisë së Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, Ismail Demir.
“Kjo marrëveshje parasheh vazhdimin dhe thellimin e mëtejmë të raporteve sipas përmbajtjes së marrëveshjes së mëparshme të nënshkruar më 27 tetor 2011 ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Republikës së Turqisë dhe Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës (tani Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës) në lidhje me bashkëpunimin industrial të mbrojtjes të nënshkruar në Ankara”, thuhet në njoftim.
Në vijim thuhet se “të dyja palët janë pajtuar që tani t’i zbatojnë objektivat e marrëveshjes në fushat vijuese të bashkëpunimit”, ndërsa bashkëpunimi duhet të jetësohet duke marrë parasysh interesin e përbashkët dhe nevojat e palëve.
Marrëveshja e 27 tetorit në Ankara është nënshkruar nga ish-ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Agim Çeku, dhe ish-ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Ismet Yilmaz, për bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes midis dy vendeve.