Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm Naim Bardiqi, kanë takuar sot Ambasadoren e Republikës së Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiq.
Në takim, Ministri Vitia njoftoi Ambasadoren Barishiq me ecurinë e vaksinimit të grupeve prioritare sipas Planit shtetëror të Vaksinimit, mënyrën se si institucionet e Kosovës po ballafaqohen me pandeminë Covid-19 dhe sfidat në sistemin shëndetësor gjatë kësaj kohe.
Gjatë këtij takimi, është nënshkruar marrëveshja për 10 mijë doza të vaksinës, të cilat Kroacia i jep Republikës së Kosovës në përkrahje vaksinimit kundër COVID-19.
Vitia i ka shprehur mirënjohjen në emër të Qeverisë së Kosovës për bashkëpunimin e qëndrueshëm dhe mbështetjen konkrete në përballjen me Covid-19.