Duket se qeveria e ardhshme e Kosovës nuk do ta ketë të lehtë qeverisjen, pasi shumë dikastere kanë paralajmëruar greva të përgjithshme. Pas arsimit (SBASHK) edhe Shëndetësia në tre nivelet në tërë Kosovën do të futet në grevë ditën e premte, me kërkesën për zbatimin e Ligjit të ri për Pagat.
Ky është vendimi i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, i cili vjen pas takimit me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
“Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës njofton opinionin e gjerë se me datë 11.12.2019 në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Drejtues diskutoi në lidhje me situatën e krijuar pas dërgimit të Ligjit mbi Pagat në sektorin publik nga ana e Avokatit të Popullit në Gjykatën Kushtetuese, si dhe bashkërendimin e aktiviteteve me Sindikatën e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës dhe Sindikatën e Policisë së Kosovës, morën vendim me shumicë votash që me datën 13 Dhjetor 2019 duke filluar nga ora 07:00-15:00 të mbahet Grevë e Përgjithshme brenda institucioneve shëndetësore të tri niveleve të sistemit shëndetësor parësor,dytësor dhe tretësor me moton: Presim pagat me Ligjin e ri”, thuhet në njoftimin e FSSHK-së.