Në mbrëmjen e 28 marsit, në Kosovë arritën dozat e para të vaksinës kundër koronavirusit. Bëhet fjalë për 24.000 doza të vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca, të cilat Kosova i ka pranuar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, një aeroplan i kompanisë, Turkish Airlines, ka sjell dozat e vaksinës, të cilat kanë ardhur nga Amsterdami përmes Stambollit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se arritja e këtij kontigjenti do të mundësojë shpëtimin e jetës së njerëzve.
“Është ky një kontingjent i vogël por që ngjallë shpresë të madhe në vendin tonë për fillimin e shpëtimit të jetës së njerëzve, sidomos të punëtorëve shëndetësorë dhe popullsisë në rrezik”, tha Kurti.
Ai tha se Kosova ka humbur kohë shumë për sigurimin e vaksinave, por shtojë se tani duhet të vepruar dhe sipas tij “vaksinimi duhet të fillojë menjëherë” dhe pa vonesa.
Koalicioni për Inovacionet e Përgatitjes Epidemike (CEPI), Aleanca për Vaksina (GAVI), dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), si bashkudhëheqës të programit ndërkombëtar COVAX, kanë për qëllim të shpërndajnë vaksina në vende të varfra.
Nga COVAX-i, në total Kosova do të marrë falas 100.800 doza të vaksinës kundër COVID-19 të kompanisë AstraZeneca.