Medalja e sotme e Akil Gjakovës e çoi në tri numrin e medaljeve të fituara për Kosovën në Evropianin e Lisbonës. Të premten, të artën e fitoi Distria Krasniqi, kurse Nora Gjakova u stolis me medaljen e bronzit. Ky sukses bëri që pas ditës së dytë, Kosova t’i prinë renditjes së shteteve me medalje të fituara. Nesër garon garuesja e fundit nga Kosova në Evropian, Loriana Kuka, kategoria -78 kg.
Kujtojmë se Akil Gjakova është bërë për herë të parë kampion i Evropës në xhudo për senior, në Kampionatin Evropian që po mbahet në Lisbonë të Portugalisë. Gjakova fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 73 kilogramë, duke u bërë medalisti i parë evropian për Kosovën në një garë të meshkujve për senior. Krahas medaljes së artë, Akili fitoi edhe 700 pikë olimpike Tokio 2020.