Krerët e institucioneve të Kosovës kanë bërë homazhe në Prishtinë te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s, në 22 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.
Ndërhyrja e NATO-s, përkatësisht dislokimi i trupave paqeruajtëse të KFOR-it më 12 qershor, 1999, pasoi fushatën e sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi, që zgjati 78 ditë.
Kjo ditë, shënohet edhe si Dita e Lirisë apo Çlirimit të Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu tha se hyrja e forcave të NATO-s së bashku me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i sollën vendit, pas një sakrifice mbinjerëzore lirinë, çlirimin dhe paqen.
“Kjo pllakë përkujtimore shënon historinë e re te Kosovës dhe bashkëpunimin tonë të fuqishëm me aleatët perëndimorë”, tha Osmani.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se liria ishte pasojë e kontributit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorëve dhe martirëve, por po ashtu edhe i “bashkimit të kontributit të përpjekjes tonë çlirimtare me faktorët ndërkombëtar” raporton Alsat M, percjell Foldrejt.com