Qindra fëmijë të shkollave të fillore të ulëta kanë marrë pjesë në manifestimin qendror të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, për të shënuar Ditën Olimpike.
Dita Olimpike shënon edhe përfundimin e Javës Olimpike në Kosovë, në të cilën KOK-u organizoi aktivitete të ndryshme duke filluar nga 13 qershori, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Kreu i KOK-ut, Ismet Krasniqi tha se fëmijët dhe aktivitetet e tyre në stadium promovojnë vlerat olimpike njëkohësisht ndikojnë në masivizimin e sportit në Kosovë.
Krasniqi në këtë ditë u bëri thirrje fëmijëve që të merren sa më shumë me sport dhe t’i sjellin Kosovës medalje.
“Tashmë e keni arritur moshën për të zgjedhur sportin tuaj për çka ju thërras që të përdorni sa më pak telefonat dhe të regjistroheni në klubet e komunave tuaja në mënyrë që një ditë edhe ju t’i sillni Kosovës medalje siç na kanë sjellë garuesit tanë deri më tani”, tha Krasniqi.
Në Ditën Olimpike mori pjesë edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i cili falënderoi fëmijët për pjesëmarrje si dhe inkurajoi që të merren sa më shumë me sport.
“Fëmijë, faleminderit që sot jeni këtu dhe që po vazhdoni të merreni me sport”, tha Çeku.
Në ditën e fundit të shënimit të Javës Olimpike të cilën KOK ka zhvilluar organizime të ndryshme, ku rreth 5 mijë fëmijë do të zhvillojnë aktivitete të ndryshme sportive si vrapimi në 40 metra, kërcimi për së gjati dhe hedhja e gjyles në 26 komuna të Kosovës.
Java Olimpike e cila zakonisht përfundon me Ditën Olimpike që shënohet më 23 qershor, u zhvillua këtë vit një javë më herët në Kosovë, për shkak të pjesëmarrjes së ekipit kosovar në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”./FolDrejt/