Kosova nuk mori as këtë fundjavë liberalizimin e vizave nga Këshilli Evropian. Shtetet veç e veç ende janë për t’ua penguar lëvizjen e lirë rreth 1.7 milion banorëve të Kosovës, si të vetmit në kontinentin evropian. E për këtë lloj diskriminimi, sot nga ora 12, grupi “Marakli T’biciklave” do të marshojnë në kryeqytet.
Gazmir Raci, si pjesë e këtij grupi, në Sytë 7 tha se u pa nevoja që shoqëria të protestojë karshi kësaj qasje evropiane. Sipas tij, politikisht janë arritur të gjitha kriteret e BE-së, siç ka dëshmuar me vendim edhe Komisioni edhe Parlamenti Evropian, andaj i takon edhe shoqërisë të reagojë.
Një veprim të tillë masiv, Raci tha se e kanë bërë edhe shtetet tjera, edhe Gjeorgjia së fundmi, e cila nga dje është një hap më afër anëtarësimit në BE.
Raci, në Sytë 7 kritikoi për heshtje shoqërinë civile, sipas të cilit, organizatat joqeveritare do duhej të organizonin ndonjë aksion gjatë ditës së djeshme, madje edhe diaspora shqiptare të reagojë tek qeveritë e shteteve skeptike.
Anëtari i grupit “Marakli T’biciklave” tha se kosovarët janë aktiv, por më shumë vetëm në rrjetet sociale, andaj kërkoi që t’i bashkëngjiten kësaj iniciative paqësore, të gjithë, me apo pa biçikleta në sheshet e Prishtinës.