Gjykata Federale në Zvicër e ka dënuar një kosovar me dëbim nga shteti, pasi është shpallur fajtor për grabitje.
Rasti ka ndodhur më 8 shtator 2018, ku një kosovar i maskuar me një bluzë në fytyrë – së bashku me një bashkëpunëtor tjetër të maskuar – kishte sulmuar një person të tretë. Qëllimi i tyre ishte grabitja e një çante krahu në makinë, që kishte para brenda.
Autorët kanë pasur edhe një thikë me vete – dhe e kanë goditur atë edhe me thikë. Më pas ata kanë marrë çantën e krahut dhe janë larguar.
Në nëntor të vitit 2020, Gjykata e Qarkut në Dietikon e ka dënuar kosovarin, që tani është rreth 50 vjeç, me një dënim të pjesshëm (pjesërisht me kusht) prej 30 muajsh burg, për grabitje.
Ai duhej të mbante nëntë muaj burgim efektiv, ndërsa 21 muaj i janë dhënë me kusht, shkruan Limmattaler Zeitung.
Pos dënimit në fjalë kosovarit iu shqiptua edhe masa siguruese, largim nga vendi për shtatë vjet. Dëbimi vlen për gjithë zonën Shengen.
I dënuari është ankuar, duke kërkuar pafajësi dhe heqjen e dëbimit nga vendi. Por Gjykata e Lartë (Kantinale) e Cyrihut vetëm sa ka konfirmuar vendimin e Dietikon, në procesin e përfunduar në maj të vitit 2022, përcjell albinfo.ch.
Autori pastaj e ka çuar çështjen më tej në Gjykatën Federale, si shkalla më e lartë e gjyqësisë në Zvicër. Kjo tani e ka refuzuar ankesën dhe së fundmi ka publikuar aktgjykimin e saj që është i njëjtë me atë të dy shkallëve më të ulëta.