Është mbajtur ceremonia e përvjetorit të lansimit të “Platformës kombëtare për mbrojtje nga diskriminimi për komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian”, raporton AA.
Në aktivitetin e organizuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë në bashkëpunim me projektin Drejtësi Sociale për Rom, Ashkali dhe Egjiptian, implementuar nga Misioni “Terre des hommes” në Kosovë, Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve dhe Fondacioni “HEKS”, u tha se platforma kombëtare për mbrojtje nga diskriminimi po jep qasje dhe mundësi për secilin qytetar që të raportojë rastet e diskriminimit.
Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Habit Hajredini, një vit pas lansimit të kësaj platforme tha se shihet progres.
“Gjatë kësaj periudhe ne kemi pasur 9.976 vizitorë dhe janë hapur 637 llogari, të cilët janë abonuar në platformë, 135 persona kanë shkarkuar aplikacionin në mobil dhe kemi 23 raste të raportuar në platformë”, tha Hajredini duke shpalosur të dhënat mbi suksesin e platformës.
Ai theksoi se 23 rastet janë diskutuar në mënyrë specifike, duke u konsultuar me palën dhe më pas janë ndjekur procedurat më të mira të mundshme të të gjitha rasteve.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se parimi i mos-diskriminimit konsiderohet si një ndër parimet kryesore të sistemit të drejtësisë, mirëpo se sa ky ligj ka gjetur zbatim praktik është një çështje tjetër. Ai tha se parë nga këndvështrimi i Avokatit të Popullit, ai nuk ka gjetur zbatim të mjaftueshëm.
“Rastet e diskriminimit shumë pak raportohen. Në anën tjetër ekziston një zbrazëti dhe mangësi në vetë sistemin e organizimit të institucioneve që trajtojnë rastet e diskriminimit, në mbledhjen dhe regjistrimin e të dhënave dhe informatave. Sot, nuk kemi asnjë institucion që në mënyrë të plotë evidenton/regjistron dhe raporton për rastet e diskriminimit, të ndara dhe të veçuara duke i klasifikuar në baza të diskriminimit dhe në të dhëna të tjera që duhet t’i kenë këto raste”, theksoi Qelaj.
Ai tha se platforma e lansuar do të ndihmojë në këtë aspekt, për shkak të lehtësisë së raportimit të diskriminimit.
Platforma Kombëtare për Mbrojtjen nga Diskriminimi për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian është themeluar nga Qeveria e Kosovës në qershor 2022 për të mbështetur vlerat e përcaktuara në Kushtetutën e Kosovës. Me përkushtim për të luftuar dhe parandaluar diskriminimin në të gjitha komunitetet në shoqërinë kosovare, Platforma përdor masa afirmative për të siguruar trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.