Rritja e rasteve me coronavirus ka bërë që 99 shkolla në Kosovë të kalojnë në mësim online. Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit, Iliriana Pylla.
“Të dhënat e fundit që i kemi marrë dje pasdite nga drejtoritë komunale të arsimit tregojnë se 99 shkolla në Republikën e Kosovës, kanë kaluar në mësim online”, ka thënë Pylla.
Ajo ka bërë të ditur se përveç 99 shkollave që kanë kaluar në mësim online, 8 shkolla të tjera janë në skenarin A kurse në skenarin B janë 11 të tjera.
“Nga 664 shkolla që punojnë me skenarin me rikthim, 99 prej tyre kanë kaluar në skenarin C ku mësimi është duke u realizuar në platformën online. Sipas të dhënave në skenarin A janë 8 shkolla, skenarin B, 11 dhe në skenarin C, 99 shkolla”, u shpreh Pylla.
Zëdhënësja e MASHTI-t bëri të ditur se numri i nxënësve dhe mësimdhënësve të prekur me COVID-19 është afro 8 mijë.
“Aktualisht janë 1 mijë 375 mësimdhënës të infektuar aktiv dhe 6 mijë e 344 nxënës . Ministria e Arsimit ka marrë vendim që task-forcat e shkollave në bashkëpunim me drejtoritë Komunale të Arsimit varësisht nga gjendja që paraqitet me pandemi të marrin vendim për kalimin e mësimit në platformën online”, u shpreh Pylla.
Pavarësisht kësaj situate, Pylla ka bërë të ditur se drejtuesit e institucioneve shëndetësore atyre të arsimit dhe njohës të çështjeve të arsimit kanë vlerësuar se shkollat duhet të jenë të fundit që do të mbyllen.
Kujtojmë se Task Forca në nivel të MASHTI, në mbledhjen e mbajtur më 20 janar 2022, nxorri rekomandimin që të shqyrtohet mundësia për kalim të klasës përkatësisht shkollës në skenarin C (mësimi online) në njërin nga këto raste:
•Nëse brenda 3 ditësh konfirmohen 2 ose më shumë raste të infektimit të nxënësve me virusin SARS-Covid-19 brenda një klase;
•Nëse më shumë se 5% e nxënësve të shkollës janë aktualisht të infektuar me virusin SARS-Covid-19;
•Nëse shkalla e infeksionit në mesin e personelit të shkollës është e tillë që mungesat nga puna pamundësojnë organizimin e procesit mësimor me prezencë fizike.
Dje në vendin tonë janë konfirmuar 4 mijë e 397 raste të reja me coronavirus. /Telegrafi/