Qëllimi kryesor i Seminareve Rose-Roth është lehtësimi i dialogut që lidhet me çështjet e sigurisë rajonale, në mesin e ligjvënësve të NATO-s dhe vendeve partnere
Ka filluar të mbahet në Prishtinë Seminari i 102-të i Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s me temën “Integrimi euroatlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme”, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në këtë seminar i cili do të zhvillohet gjatë 8, 9 dhe 10 tetorit, po marrin pjesë pjesëmarrës të ndryshëm, përfshirë ligjvënës të NATO-s, përfaqësues të institucioneve të Kosovës si dhe të institucioneve e organizatave të ndryshme ndërkombëtare.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor ka qenë konsistente, përpos Serbisë.
Osmani tha se integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor ka qenë i fragmentuar kohë pas kohe dhe momenti me luftën në Ukrainë do të rikalibrojë perspektivat evropiane për Ballkanin Perëndimor por edhe politikat e BE-së për integrimin e këtij rajoni.
“Serbia ka qenë partnere në projekte të përbashkët me NATO-n, derisa e refuzon anëtarësimin në NATO dhe përafrimi i saj me Rusinë flet shumë. Ne ende nuk jemi pjesë e Partneritetit për Paqe, kurse vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor ose janë anëtare të NATO-s ose si Kosova që është e qartë për t’u bërë anëtare dhe për të kontribuuar në këtë drejtim. Për këtë arsye, është jashtëzakonisht me rëndësi për secilin anëtar të NATO-s që ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe”, theksoi Osmani.
Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Gerald Connolly tha se me agresionin e saj, Rusia dëshiron ta shkatërrojë demokracinë në Ukrainë dhe këtë ta bëjë edhe në vendet tjera, prandaj “shtetet tona duhet të qëndrojnë krah njëra-tjetrës”.
Rajoni i Ballkanit Perëndimor, siç tha Connolly, ka qenë dëshmitar për vite me radhë se si forcat e autoritarizmit kanë zgjeruar ndikimin e tyre destabilizues.
“Ndarjet etnike, pastaj çështjet kushtetuese po e mbajnë rajonin prapa në integrimet euro-atlantike. Para tre dekadash, Bosnjë e Hercegovina ende po i vuan këto pasoja. Mosmarrëveshjet mes Beogradit dhe Prishtinës, çështjet e pazgjidhura, e pengojnë rajonin të shkojë drejt integrimit evropian. Progresi drejt sundimit të ligjit, qëndrueshmëria ekonomike janë kufizuar në rajon. Siguria jonë është e ndërlidhur ngushtë m’u për këtë Ballkani Perëndimor dhe shtetet euro-atlantike duhet të punojnë bashkë për të tejkaluar sfidat e rajonit dhe të pengojnë destabilizimin nga shtetet jo-demokratike si Rusia dhe Kina”, theksoi Connolly.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se Kosova do t’i kryejë të gjitha reformat e nevojshme që një ditë të bëhet anëtare e NATO-s.
Ai tha se bota demokratike aktualisht është e mobilizuar për ta konfrontuar pushtimin ushtarak të Rusisë në Ukrainë me ndihma ushtarake dhe humanitare, dhe se ky seminar po mbahet në një moment të rëndësishmen ndërkombëtarë e gjeopolitik për të gjithë.
“Bota ose do ta hap një kapitull të ri të paqes, demokracisë globale dhe prosperitetit ekonomik ose do të kthehet para vitit 1989. Të punojmë të gjithë së bashku e jo vetëm të shpresojmë që të ndodhë e para. Kosova natyrshëm dhe fuqishëm është rreshtuar me botën demokratike. Ne si shtet jemi absolutisht të koordinuar me politikën e sanksioneve të BE-së dhe SHBA-së kundër Federatës Ruse. Ne e kuptojmë nëpër çka po kalon populli i Ukrainës sikur askush tjetër meqë vet ishim një popull që u sulmua nga Serbia e Millosheviqit në vitin 1998”, theksoi Konjufca.
Përgjatë tre ditëve të këtij seminari, pjesëmarrësit do të diskutojnë për perspektivën e integrimit evropian të Kosovës dhe progresin e deritashëm, për situatën ekonomike në rajon pas COVID-19, për rolin e të rinjve në ndërtimin e shoqërive të qëndrueshme, për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, zhvillimet politike dhe të sigurisë në Bosnjë e Hercegovinë, implikimet e luftës në Ukrainë për Ballkanin Perëndimor, shtrirjen dhe implikimet e ndikimit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, pastaj për kontributin e grave për paqen dhe sigurinë rajonale, pjesëmarrjen politike të tyre në Kosovë si dhe forcimin e sundimit të ligjit e luftimin e korrupsionit.
Seminari i 102-të Rose-Roth organizohet në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës, nën udhëheqjen e kryetarit të Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Asamblesë Parlamentare të NATO-s, deputetit Driton Hyseni si dhe me përkrahjen e Qeverisë zvicerane e të Qendrës së Gjenevës për Qeverisje të Sektorit të Sigurisë (DCAF), së bashku me Komisionin për Ekonomi dhe Siguri.
Qëllimi kryesor i Seminareve Rose-Roth është lehtësimi i dialogut që lidhet me çështjet e sigurisë rajonale, në mesin e ligjvënësve të NATO-s dhe vendeve partnere.