Zyra e Kryeministrit, në bashkëpunim me institucionet e tjera publike, ka hartuar raportin mbi zbatimin e Programit Kombëtar për Integrim Evropian gjatë periudhës janar – qershor. Gjatë kësaj periudhe janë zbatuar reforma të rëndësishme për integrim në BE në të tri shtyllat: kriteret politike, kriteret ekonomike dhe standardet evropiane.
Ato përfshijnë reforma të dakorduara në kuadër të strukturave të përbashkëta të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe BE-së dhe prioritete të Agjendës për Reforma Evropiane, duke përmbushur kështu obligime të MSA-së dhe kërkesa të tjera për integrim në BE. Gjatë pjesës së parë të vitit, më shumë se gjysma e reformave janë të zbatuara ose në zbatim e sipër, pa vonesa, përcjell Fol Drejt.
Sa u përket kritereve politike, janë zbatuar reforma kyçe në fushën e zgjedhjeve dhe atë të administratës publike. Është miratuar dhe ka hyrë në fuqi Ligji i ri për Zgjedhjet, duke mundësuar përmirësimin e organizimit dhe mbajtjes së zgjedhjeve qendrore dhe adresuar rekomandimet shumëvjeçare të BE-së. Më tej, është zhvilluar dhe lansuar për përdorim platforma digjitale për raportim mbi zbatimin e kornizës strategjike për reformën e administratës publike. Kjo do të përmirësojë qëndrueshmërinë e reformave, transparencën dhe llogaridhënien në këtë fushë.
Sa u përket kritereve ekonomike, për herë të parë janë përgatitur raportet tremujore financiare e ato të performancës për të gjitha ndërmarrjet publike dhe analiza e rreziqeve fiskale për ndërmarrje publike. Këto reforma përmirësojnë menaxhimin e këtyre ndërmarrjeve bazuar në konceptin e qeverisjes korporative, si dhe llogaridhënien dhe transparencën menaxheriale e financiare të tyre.
Në kuadër të shtyllës së tretë janë zbatuar reforma që e sjellin Kosovën më afër këtyre standardeve në shumë fusha, me prioritet në reformat me ndikim në ekonomi. Në këtë drejtim, me miratimin e Strategjisë për Zhvillimin e Industrisë dhe Mbështetje të
Biznesit 2030, deri në fund të dhjetëvjeçarit do të zgjerohet prodhimi industrial, zvogëlohet deficiti tregtar industrial, do të përmirësohet punësimi në industri dhe ndërmarrjet, dhe do të lehtësohet zhvillimi i industrisë së gjelbër.
Më tej, në fushën e bujqësisë, miratimi nga Kuvendi, për herë të parë, i Ligjit për Organizimin e Tregut të Përbashkët të Produkteve Bujqësore, të miratuar nga Qeveria, do të mundësojë rritjen e tregut vendor të produkteve bujqësore dhe konkurrueshmërisë së tyre në tregjet e tjera përmes krijimit të një sistemi të organizimit të tregut të produkteve bujqësore. Në këtë do të kontribuojë edhe zbatimi i programit për bujqësi organike, të miratuar nga Qeveria gjatë periudhës raportuese.
Së treti, me miratimin e Agjendës Digjitale për Kosovën 2030 deri në fund të dhjetëvjeçarit do të avancohet infrastruktura digjitale, do të mundësohet transformimi digjital i bizneseve, do të digjitalizohen shërbime publike, do të zhvillohen më tej aftësitë digjitale të qytetarëve dhe një ekosistem inovativ për kërkime dhe zhvillim në sektorin privat, dhe do të avancohet siguria kibernetike.
Në fushën e të drejtave themelore, Qeveria ka miratuar amendamente në Ligjin për Liritë Fetare dhe me miratimin e tyre në Kuvend do të rregullohet regjistrimi i bashkësive fetare si kategori më vete dhe do të avancohet baza ligjore për ruajtjen dhe promovimin e pluralizmit fetar.
Në fushën e mjedisit, Qeveria ka miratuar për herë të parë projektligjin për ndryshime klimatike, si dhe amendamentet në Ligjin për Vlerësim Strategjik Mjedisor.
Me miratimin e tyre nga Kuvendi do të avancohet mbrojtja e mjedisit përmes fillimit të punës në zbatimin e Agjendës së Gjelbër të BE-së, për Ballkanin Perëndimor, e cila parasheh synimet më ambicioze të dekarbonizimit në botë. Me këtë gjithashtu do të zbatohen rregulla e procedura më të rrepta për vlerësimin e ndikimit e planeve e programeve në mjedis, do të përmirësohet parandalimi dhe kontrolli i lëshimit të gazrave serrë në atmosferë nga një gamë e gjerë aktivitetesh industriale, të trafikut, bujqësore dhe nga sektorë të tjerë.
Më tej, me miratimin e Strategjisë së Ujërave 2023-2027 dhe planit të veprimit 2023-2025 për zbatimin e saj, gjatë pesëvjeçarit të ardhshëm do të përmirësohet qeverisja dhe sigurimi afatgjatë i ujit si resurs kritik për qytetarët dhe ekonominë, mbrojtja e resurseve ujore, si dhe besueshmëria dhe cilësia e shërbimeve të ujit.
“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar maksimalisht në rrugëtimin e saj në procesin e integrimit evropian dhe përmbushjen e reformave të domosdoshme që po dëshmojnë punën dhe seriozitetin e institucioneve tona, për hapa të rëndësishme përpara, drejt integrimit në BE”, thuhet në komunikatën për media të zyrës për komunikim publik./FolDrejt/