Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, njoftoi rreth vendimit të bërjes me pagesë të qeseve plastike.
Për këtë ai njoftoi përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në Facebook, përcjell Fol Drejt.
“Thuaj JO qeseve plastike njëpërdorimshe, për një mjedis të shëndetshëm për të gjithë.
Ndalohet prodhimi, importi dhe shitja në treg e qeseve plastike mbajtëse me peshë të lehtë me dorëza me trashësi nga zero (0) deri në njëzetepesë (25) mikron.
Ndalohet prodhimi, importi dhe shitja në treg e qeseve plastike mbajtëse të okso-degradueshme.
Ndalohet vendosja e: llogos, markës tregtare, slloganit, emrit të prodhuesit ose shitësit, në qese plastike mbajtëse me peshë të lehtë me dorëza prej njëzetepesë (25) deri pesëdhjetë (50) mikron.
Qeset plastike mbajtëse me peshë shumë të lehtë pa dorëza vihen në treg pa tarifë prej zero pikë zero dy (0.02) euro dhe pa pagesë për konsumatorin.
Qeset plastike mbajtëse me peshë të lehtë me dorëza prej njëzetepesë (25) deri pesëdhjetë (50) mikron vihen në treg me një çmim shitjeje minimal detyrues prej së paku zero pikë zero pesë (0.05) euro që paguhet nga konsumatori, ku prej tyre zero pikë zero dy (0.02) euro tarifë kalojnë në buxhetin e Republikës së Kosovës.
Për qeset plastike mbajtëse me dorëza mbi pesëdhjetë (50) mikron nuk do të vendoset çmim shitjeje minimal detyrues e as tarifë prej zero pikë zero dy (0.02) euro.
Për qeset e plastikës biodegraduese të kompostueshme të çfarëdo madhësie dhe trashësie, me një ҫertifikatë përkatëse që vërteton që qeset e plastikës janë nga materiali i biodegradueshëm dhe i kompostueshëm, nuk do të vendoset çmim shitjeje minimal detyrues e as tarifë prej zero pikë zero dy (0.02) euro.
Çdo qese plastike mbajtëse me peshë të lehtë e shitur, për të cilën zbatohet ҫmimi minimal detyrues, duhet të evidentohet në kuponin fiskal i cili i lëshohet konsumatorit nga shitësi.
Prodhuesit e qeseve plastike i dërgojnë Agjencisë raport më së largu deri me datë 31 mars të vitit vijues, për numrin e qeseve të prodhuara në vitin paraprak, në formën e përcaktuar nga Agjencia.
Në qeset plastike mbajtëse me peshë të lehtë me dorëza prej njëzetepesë (25) deri pesëdhjetë (50) mikron, vendoset:
– shenja e numrit dhe shkurtesës së materialit të ambalazhit;
– shenja për riciklim;
– barkodi;
– niveli i trashësisë së përcaktuar në mikron, dhe
– viti i prodhimit.
Deri më 31 dhjetor 2024, niveli i përdorimit vjetor nuk kalon njëqindetetëdhjetë (180) qese plastike mbajtëse me peshë të lehtë për person”, thuhet në njoftimin e plotë të ministrit Aliu.
Mund të theksohet se nga vendet e rajonit në Kosovë qeset e plastikës janë dhënë falas deri në publikimin e klëtij vendimi./FolDrejt/