Përafërsisht 14.1 milionë doza të vaksinave Pfizer/BioNTech do të shpërndahen në 47 vende në tremujorin e dytë të këtij viti, tha Aleanca Globale e Vaksinave dhe Imunizimit (GAVI) të hënën. Në planin e shpërndarjes përfshihet edhe Kosova.
GAVI, që drejton COVAX-in së bashku me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Koalicionin për Inovacion në Gatishmëri për Epideminë, thotë se ata dorëzuan 1.2 milion doza të vaksinës Pfizer te 18 pjesëmarrësit e programit në raundin e parë.
Sipas informacionit të fundit të lëshuar nga GAVI, Kosova, Bosnje e Herzegovina dhe Maqedonia e Veriut do të duhet t’i marrin 100,620 doza të vaksinës Pfizer përmes programit COVAX nga prilli deri në qershor, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Vendet e Ballkanit Perëndimor morën dozat e para të vaksinave kundër koronavirusit përmes sistemit COVAX në mes të marsit.
24,000 doza të vaksinës AstraZeneca kanë mbërritur gjithashtu në Kosovë. Kosova pritet t’i marrë gjithsej 100,800 doza të vaksinës AstraZenec në këtë program.
Maqedonia e Veriut si dhe Mali i Zi gjithashtu morën nga 24,000 vaksina AstraZeneca.