Gjermania do të jetë në gjendje ta kompensojë borxhin e krijuar për të menaxhuar pandeminë e virusit Corona, po të përmirësohet ekonomia në gjysmën e dytë të vitit, tha Ministri gjerman i Financave Olaf Scholz në një intervistë, botuar të dielën.
Scholz nuk e përjashtoi krejtësisht mundësinë e marrjes së një borxhi shtesë përtej 156 miliardë eurove, që u miratua nga parlamenti gjerman në fund të marsit. Por ai i tha gazetës Welt am Sonntag se kjo mund të mos jetë e nevojshme “po të arrijmë ta lëvizim kurbën ekonomike për lart në gjysmën e dytë të vitit “. Gjithsesi, shtoi ai, është “shumë herët për të dhënë sinjalin e hapjes së plotë”, megjithë uljen e ritmit të infeksionit.
Parlamenti Federal e ngriti tavanin e borxhit të Gjermanisë, duke e lejuar qeverinë federale të huazojë rreth 100 miliardë euro më shumë se e zakonshmja për të luftuar krizën dhe për të zvogëluar ndikimin në punëtorët dhe bizneset në Gjermani.
Gastronomia në krizë
Shpenzimet e reja kanë për qëllim financimin e kujdesit shëndetësor të vendit dhe ndihmën për sipërmarrjet që rrezikojnë të mos paguajnë dot kreditë e tyre. Dehoga, një shoqatë e hoteleve dhe restoranteve gjermane, tha se 70.000 hotele e restorante mund të falimentojnë për shkak të efekteve të virusit Corona. “Na u desh të parëve të mbylleshim, dhe ne do të jemi ata që do të vuajnë më gjatë”, tha kryetarja e shoqatës Ingrid Hartges për Bild am Sonntag. “Pa mbështetje shtesë shtetërore, një në tre institucione përballet me falimentimin.” Restorantet dhe bizneset e tjera të goditura nga kufizimet e distancimit social për shkak të virusit Corona mund të marrin mbështetjen e shtetit.
Taksa më të larta për ata që fitojnë më shumë
Scholzi tha gjithashtu se ata që kanë të ardhura më të larta mund të përballen me taksa më të mëdha pas krizës, për të balancuar nivelin e lartë të mbështetjes shtetërore të mundësuar nga sistemi i mirëqenies sociale të vendit.
Scholz-i tha se Partia e tij Socialdemokrate (SPD), në koalicion të madh me konservatorët e Kancelares Angela Merkel, ka mbajtur prej kohësh qëndrimin që grupet me të ardhura më të ulëta mund të ndihmohen, po të paguajnë më shumë taksa shtetasit me të ardhura të larta. Një taksim i tillë duhet të jetë “korrekt dhe i drejtë”, tha ai.
Por Ministri i Ekonomisë, Peter Altmaier e hodhi poshtë thirrjen për taksa më të larta. “Diskutimet nga individë për rritjen e taksave për njerëz të caktuar, grupe ose për degë janë të gabuara dhe të dëmshme,” i tha ai gazetës Bild am Sonntag. “Ne duhet të jemi të kursyer dhe askujt nuk do t’i duhet të paguajë taksa më të larta.”
Stimulimi post-virus
Qeveria gjithashtu do të shikojë të ofrojë stimuj ekonomikë në fund të bllokimit prej virusit Corona, i cili ka mbyllur bizneset dhe mban njerëzit në shtëpi. “Kur të jetë koha e duhur, ne do të përgatisim masa për të stimuluar përsëri biznesin,” tha Scholz-i. “Ata duhet të jenë ashtu siç do t’i imagjinonin ekonomistët – me objektiv, të mjaftueshme për qëllimin dhe të kufizuara në kohë”. “Gjithashtu, ne do t’i mbajmë sytë të fiksuar në modernizimin e vendit tonë, siç në zvogëlimin e emetimeve të dioksidit të karbonit, zgjerimin e mobilitetit elektrik dhe digjitalizimin”.
Aditya Sharma