Lidhja e Socialdemokratëve të Vojvodinës (LSV) sot ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Serbisë që ta obligojnë presidentin e Republikës, Aleksandër Vuçiq, të pranojë planin evropian për Kosovën, shkruan Danas, përcjell Fol Drejt.
Kosovën e kemi humbur në vitin 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës dhe konflikti i ngrirë në Kosovë është një lak rreth qafës së Serbisë, tha në një deklaratë me shkrim presidenti i LSV-së, Bojan Kostresh.
Ai thekson se “është shumë keq që opozita civile liberale e majtë-gjelbër në Serbi nuk lufton më fort, më fort dhe më drejtpërdrejt për anëtarësimin e Serbisë në BE”.
Nëse Serbia dëshiron të bëhet anëtare e BE-së, duhet të pranojë rregullat që ekzistojnë atje. Rregullat janë jokonflikti dhe zgjidhja e problemeve. Prandaj është e nevojshme që deputetët të vendosin bazat për pranimin e planit evropian për Kosovën dhe ta obligojnë Vuçiqin ta pranojë atë”, tha Kostresh para seancës së sotme të Kuvendit të Serbisë për Kosovën.
Serbia ka dekada të tëra që sorollatet dhe nuk mund të gjurmojë qartë rrugën e saj evropiane, dhe në një kohë kur jemi vendi i katërt më i varfër në Evropë, kur produkti i përgjithshëm vendas për frymë mezi arrinë 25% të mesatares së Bashkimit Evropian, dhe dhjetëra mijëra të rinj largohen për në Perëndim përgjithmonë, duhet thënë me zë të lartë se shpresa e vetme e këtij vendi është hyrja sa më shpejt në Bashkimin Evropian, tha kryetari i LSV. /FolDrejt/