Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me ndërrimin e masës për Dejan Pantiq, duke shprehur kështu shqetësimin e thellë lidhur me këto deklarata.
Siç vlerëson KPK “reagimet e tilla të Kryeministrit Kurti dhe vartësve të tij janë tendencë për ndërhyrje në punët dhe pavarësinë e sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës”.
“Po ashtu, KPK shpreh indinjatën e thellë me kërkesën e Kryeministrit Kurti për t’u informuar me emrin e prokurorit i cili ka bërë kërkesë për ndërrimin e masës ndaj të pandehurit Pantiq, nga se kjo përveç që ndikon në punën e pavarur të prokurorit, mund të nxitë edhe reagime që do mund të rrezikojnë jetën e tij”, thuhet në reagimin e KPK-së.
“Kryeministrit Kurti dhe vartësve të tij, KPK iu bënë thirrje të respektojnë punën e institucionit të pavarur të Prokurorit të Shtetit, ngase tentativat për ndërhyrje, do të mbesin vetëm si të tilla”, shtohet tutje në reagim.
Kujtojmë se sot, ish-policit serb, Dejan Pantiq, i arrestuar për “kryerjen e veprës terroriste” iu ndryshuar masa nga paraburgim në arrest shtëpiak./FolDrejt/