I pari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, i shoqëruar edhe nga anëtarë të kësaj partie, ka bërë homazhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz, raporton Fol Drejt.
Krasniqi i ka veçuar datat 5, 6 dhe 7 mars, si ditët e para të fillimit të “lindjes së lirisë për Kosovën”.
Këto ditë kujtohen nga i gjithë populli i Kosovës, si ditët kur familja Jashari u sakrifikua për hir të lirisë.
Ky është postimi i plotë i Krasniqit:
Datat 5, 6 dhe 7 mars shënojnë ditët e lindjes së lirisë së Kosovës.
Ditët e “Epopesë së UÇK-së” ndryshuan drejtimin e historisë tonë dhe, njëkohësisht, u shndërruan në ditët më të lavdishme të historisë tonë kombëtare.
Në Prekaz, më 1998, në kullat e familjes Jashari, u bënë bashkë qëndresa, sakrifca, dhembja, krenaria, atdhedashuria dhe heroizmi i rrallë, për të ndezur flakën e shenjtë të lirisë.
Në tri ditët e heroizmit të pashoq të familjes Jashari, në altarin e lirisë ranë 59 dëshmorë, duke u bërë themel i shtetit tonë të lirë e të pavarur.
Lavdi e përjetshme!