Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar në një postim, me rastin e shënimit të Ditës së Evropës, transmeton Fol Drejt.
Ai ka thënë se shqiptarët e Kosovës për dekada e kanë dëshmuar se janë vlerë e shtuar dhe aset tejet i rëndësishëm.
“Drejt Evropës – me punë, besim dhe vlera!
Sot, festojmë unitetin dhe diversitetin e Bashkimit Evropian dhe vlerat të cilat ka në themelet e saj – paqen, demokracinë dhe të drejtat e njeriut – të cilat na lidhin fuqishëm dhe pandashëm bashkë.
Shqiptarët e Kosovës e kanë dëshmuar për dekada se janë vlerë e shtuar dhe aset tejet i rendësishëm – me kontributin e tyre të shquar në të gjitha shtetet e Evropës ku jetojnë dhe punojnë. Mërgata jonë janë qytetarë të dalluar dhe të suksesshëm gjithandej BE-së.
Fatmirësisht, pas shumë përpjekjeve, ndonjëherë edhe vonesave të panevojshme, edhe shteti ynë, Kosova, tashmë ka hyrë në rrugën e pakthim – drejt përqafimit të vlerave evropiane dhe integrimit e anëtarësimit në këtë Bashkësi. “, ka shkruar Krasniqi në një postim në facebook.
“Vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe pranimi i aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës – janë shenja të përafrimit tonë, por, mbi të gjitha, edhe përmbushje e premtimeve të kahmotshme që Bashkimi Evropian i kishte dhënë Kosovës.
Prandaj, para se gjithash, ky vit i cili shënon një pikë kthese për Kosovën dhe BE-në, uroj që të konkretizohet sa më parë me marrjen e statusit kandidat dhe më pas anëtarësimit të plotë të Kosovës në BE.
Gëzuar Dita e Evropës!”, ka shtuar tutje./FolDrejt/