Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka shprehur shqetësim lidhur me emigrimin masiv të të rinjve dhe punëtorëve nga Kosova, e që sipas tij po godet rëndë edhe ekonominë e re të Kosovës.
Kështu është shprehur ai gjatë vizitës së sotme në Kamenicë, në Fabrikën e mobiljeve “Wood Product”, me ç’rast pronari i kësaj fabrike ka treguar për largimin e punëtorëve në Kroaci dhe vende tjera të BE-së.
“Gjatë vizitës në Kamenicë, sot kam vizituar Fabrikën e mobiljeve “Wood Product” ku pronari Adil Kryeziu shprehu shqetësimin se punëtorët që kanë përvojë pune po ikin për punë në Kroaci dhe vende tjera të Bashkimit Evropian.
Fatkeqësisht, shumë të rinj nga i gjithë vendi po e braktisin Kosovën në kërkim të persepektivës dhe rritjes së mirëqenies në shtetet tjera. Me këtë trend të ikjes, Kosova po rrezikon të mbetet një vend i braktisur, dhe shumë biznese rrezikojnë të shuhen në të ardhmen për shkak të mungesës së burimeve njerëzore.”, ka shkruar Krasniqi në një postim në facebook.
“Prandaj, detyrë e jona e përbashkët duhet të jetë kthimi i besimit në institucione, duke krijuar kushte të favorshme për zhvillimin e bizneseve, përmes të cilave krijohen vende të reja pune me paga dinjitoze për qytetarët”, ka shtuar ai./FolDrejt/