Kryetari i Partisë Demokratikë të Kosovës, Memli Krasniqi, sot gjatë vizitës në Bruksel njoftoi se ka zhvilluar takim edhe me emisarin Miroslav Lajçak.
Për këtë ai njoftoi në një postim në Facebook, transmeton Fol Drejt.
“Sot, gjatë vizitës në Bruksel kam zhvilluar takim edhe me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi dhe Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.
Bashkë diskutuam për zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës, situatë për të cilën nevojiten veprime të përgjegjshme politike.
Emisarit Lajçak i ritheksova qëndrimin për një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi, me njohjen reciproke në qendër dhe e cila garanton anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Integrimi euro-atlantik i Kosovës është rruga e vetme përpara, për të cilën, unë dhe Partia Demokratike e Kosovës mbesim thellësisht të përkushtuar!”, u shpreh Krasniqi./FolDrejt/